Ushtarët koreano-veriorë në frontin Ukrainas kthehen në “epokën e gurit”, vizatojnë skica të dronëve që i godasin në ditar

Disa skica të pazakonta në ditarët e ushtarëve koreano-veriorë janë zbuluar nga Forcat Speciale të Ukrainës, të cilat janë përballur në disa fronte luftimi, kryesisht në rajonin e Kursk-ut, i cili gjendet në territorin rus, por është nën pushtimin ukrainas aktualisht.
Në një publikim të bërë në median sociale X, bie në sy se në një faqe fletoreje si ato të nxënësve në shkolla, me kutia katrore, ushtarët koreano-veriorë, përtej shkrimit të situatës, kanë bërë edhe disa vizatime, të cilat ngjajnë më shumë me ato të shpellave në epokën e gurit, se sa me botën aktuale.
Në to, duken njerëz në formën e “stickman”, të vizatuar si nxënësit e klasave të ulëta dhe një dron ukrainas, i cili i qëllon ato.
Përpos kësaj, bie në sy po ashtu se ushtarët e dërguar nga Kim Jong-Un për t’i ardhur Vladimir Putinit në ndihmë, nuk janë amatorë, apo rezervistë, por ushtarë elitë.
Ushtari që ka shkruar ditarin, të cilin Rusia u përpoq ta mbulonte si me kombësi vendase tuvan me karta identiteti false, rrëfeu se ishte vendosur si ndëshkim nën urdhrat e luftënxitësit Kim Jong Un.
Në ditarin e tij, ai shprehu besnikërinë ndaj Kimit, duke u zotuar se do të sakrifikonte jetën e tij. Për ironi, ai e përmbushi këtë zotim.
“Unë u rrita, duke mësuar sinqerisht nën mbrojtjen e Partisë bujare, duke marrë më shumë dashuri nga sa e kuptoja dhe nuk e kuptoja çmimin me të cilin u ble lumturia ime. Mbrojtja e atdheut është detyrë e shenjtë e çdo qytetari dhe misioni më i lartë”, shkruan ai në ditar.
Situata në front është e vështirë dhe ushtarët koreano-veriorë po pësojnë humbje të shumta nga ukrainasit. Teksa, përballja në Kursk, vijon e ashpër.