“Të pyesin Trumpin, ça të them unë”… Pasuri e fshehur? Këlliçi si Meta, distancohet nga gruaja: Nuk bashkëjetoj me Anën

Belind Këlliçi u mor sot në pyetje nga SPAK për disa orë dhe ka dhënë llogari për falsifikim dokumentesh, përfshirë atë të diplomës së gjimnazit dhe mosdeklarim të pasurisë së bashkëjetueses.

Në prill 2023, media publikoi një investigim me 4 pjesë ku faktohet falsifikimi i diplomës duke manipuluar fillimisht universitetin amerikan “Coppin University” dhe më pas edhe institucionet shqiptare.

I mësuar të hyjë në derën e SPAK disa herë pasi thotë se kallëzon afera korruptive, këtë herë “super investiguesi” i Berishës u thirr si person nën hetim.

Akuzat në drejtim të tij janë të forta. E para lidhet me falsifikimin e rëndë në 2 raste, për diplomën e gjimnazit që nuk e ka dhe deklarimi i rremë në formularin e vetëdeklarimit sikur e ka diplomën, kur kandidoi për deputet dhe më pas për kryetar bashkie të Tiranës.

“Sot jam paraqitur në SPAK në lidhje me një kallëzim nga një mashtrues i dënuar me vendim gjykate 1 vit para se të lindja.

Jam i hapur për çdo pyetje dhe çdo sqarim të mëtejshëm me mua, familjen time që nga dita që kam lindur 25.1.9187 e deri më sot. Jam sqarues. Në raport me ndodhitë e ditës.

Nëse dikush mendon se duke përdorur persona të diskredituar që nga 1986 do më mbyllë mua gojën e ka gabim. Lërini mënjanë dhe më dilni përballë kushdo që do të më intimidojë. Kushdo që ka diçka në raport me mua të nxjerrë fytyrën ballë për ballë siç e kam nxjerrë unë” – tha ai pas daljes nga SPAK.

Një tjetër çështje për të cilën u pyet Këlliçi është ajo e deklarimit të rremë të pasurisë, pasi nuk ka raportuar për pasurinë e bashkëjetueses së tij, Ana Shkreli, vajza e Artan Shkrelit.

Për t’i shpëtuar hetimeve të SPAK, Këlliçi u distancua nga gruaja e tij duke thënë se nuk jetojnë së bashku dhe nuk është i vetmi politikan që e bën këtë distancim në dyert e SPAK.

“Jam pyetur për çdo gjë, për partneren time që unë dal në media publikisht dhe them që nuk bashkëjetoj me të dhe nuk jemi bashkë dhe ajo po kujdeset për familjen e saj, për vëllanë e saj”, tha Belind Këlliçi.

Çështjen e tretë për të cilën u pyet për rreth 130 minuta nga hetuesit e posaçëm, Këlliçi e zbuloi vetë dhe që lidhet me kush ia pagoi foton me Donald Trump në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Jam pyetur se paskam paguar dhjetëra mijëra euro për të bërë foto me presidentin e SHBA Donald Trump. Ta pyesin vetë Trump, ça të them unë. Unë i kam dhënë deklaratat, kam dalë që në fillim e kam deklaruar që kam pasur zero kosto financiare”, tha Këlliçi.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT