“Bleu 5,600 m2 tokë për 4 mijë euro”, Jamarbër Malltezi nxjerr DOKUMENTIN: Është prokuror në SPAK

Jamarbër Malltezi vijon të jetë në arrest shtëpie, megjithatë kjo nuk e ka stepur që të publikojë dokumente për të cilat pretendon se tregojnë veprimtarinë e një prokurori të SPAK.
Biznesmeni i njohur, njëkohësisht dhëndri i Sali Berishës ka treguar se te Gjiri i Lalëzit janë blerë plot 5.600 m2 tokë për shifrën e 4 mijë eurove. Ai nuk ka dhënë emrin e prokurorit për të cilin pretendon se ka përfituar pasurinë e sipërpërmendur, por ka shkruar në rrjetet sociale:
“4€/m2 për tokë me ndërtesë brenda në Lalëz!!!
Quitz: kush zyrtar ka blerë 5,600m2 tokë me 3 objekte brenda për më pak se 4000 euro? Dmth 4 €/m2 për tokën bashkë me objekt brenda!!! Janë gjeni për cmim ne ekonomi! (Pjesa e tij 1/6 e 5600m2 = 933m2; 466,000 lek : 933 m2 = 500 lek/m2).
(Hint: Është prokuror në SPAK, që këto thagma ia kanë parë dhe kaluar shokët e partisë që i bënë vetingun, dhe që nuk ia kanë raportuar as me-nder mediat e paguara nga Soros-Blinken si Birn e occrp). Për dijeni po i njëjti prokuror ka edhe disa thagma të tjera si psh ka jezuar pa asnjë lek në 2012 por me rradhë…
Qenkan 3 objekte ushtarake e jo shtëpi!!! Repartet ushtarake ishin në planin e përhapjes dhe nëse nuk do ishin atëherë i kthehn pronarëve ligjorë kur ka të tillë ose nëse nuk ka privatizohen etj. Por e gjitha si repart tokë+objekt e jo ndarë veç e veç. Këta banditët kanë falsifikuar sikur kanë marrë tokën “Arë” me amtp (kur është toka e repartit ushtarak), e më pas kanë privatizuar ca ndërtesa të vjetra ???? Të paparë i ka partia në falsifikim”, shkruan ai.
Kujtojmë që Jamarbër Malltezi ndodhet prej 1 viti në arrest shtëpie, masë e dhënë nga GJKKO-ja me kërkesë të SPAK, teksa dyshohet se ka konsumuar veprat penale “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal.