Dosier, borxhi i Kinës komuniste dhe mafia blu

Borxhi i jashtëm i Shqipërisë është bërë shpesh nxitje për debat mes dy palëve të politikës shqiptare. Një ndër rastet është ai për borxhin e trashëguar ndaj qeverisë kineze, që po tentohej të zgjidhej me një projektligj në seancë parlamentare në shtator 2002. Drejtuesja e seancës parlamentare Makbule Çeço paraqiti për diskutim: “Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës të Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Popullore të Kinës për shndërrimin në kredi qeveritare të saldos së kleringut në favor të Kinës, rezultuar nga zbatimi i marrëveshjes qeveritare të shkëmbimit të mallrave e pagesave të vitit 1991”.
Projektligji ishte pjesë e një strategjie që ishte përgatitur nga mazhoranca socialiste e kohës për zgjidhjen e problemit të borxhit të jashtëm. Marrëveshjet ishin negociuar para se të vinte projektligji në parlament. Një ndër detajet e diskutimit ishte rasti i borxhit ndaj Kinës dhe një precedent i vitit 1993, kur pala kineze erdhi në Shqipëri, por presidenti i kohës, Berisha, e ndaloi marrëveshjen pasi kishte zbuluar se ishte fjala për një marrëveshje të komprometuar, siç do ta sqaronte ai në diskutim në këtë seancë, nga mafia blu.
Sali Berisha – Është e vërtetë ajo çka tha z. Zeqo dhe jua them me përgjegjësi të plotë që segmente mafioze blu në atë kohë donin të bënin një veprim të tillë. Do të vinte në atë kohë zëvendëskryeministri kinez dhe ministri i Jashtëm për vizitë zyrtare në Shqipëri pa asnjë lloj njoftimi të Qeverisë. Këto segmente kishin njoftuar nëpërmjet ambasadës se ne do t’i përgjigjeshim borxhit, pikërisht kësaj marrëveshjeje. Mirëpo institucionet ndërkombëtare kanë qenë shumë mbështetëse të një trajtimi kolektiv të borxhit. Si përfundim, kur e morëm vesh pak orë para se kjo të ndodhte, e bllokuam, se ashtu ishte interesi i vendit. Dikush ishte i përlyer në atë mes. Duhet të kemi parasysh, dhe dua ta denoncoj këtu, se është një grup individësh në Shqipëri, sipas të cilëve mafia duhet të bëjë Shqipërinë. Dhe unë ju them se ky është grupi më i rrezikshëm në historinë e vendit, qoftë ata që e bënë në vitin 1993, qoftë edhe ata që e bëjnë tani, sepse praktika kolektive, ky zotëria (unë kam respekt për ta si grup teknik) e di shumë mirë që trajtimi kolektiv i borxhit është, pa diskutim, një interes shumë i madh kombëtar. Zëvendëskryeministri kinez u zemërua, i dhashë një drekë, i shpjegova që s’ka asnjë qëndrim kundër këtij ose atij, por ka një praktikë të një vendi të varfër që po përpiqet të çlirohet nga borxhet. Dhe unë në vizitën time jam falënderuar nga të dy drejtuesit kryesorë të atij vendi për faktin që kam njohur borxhin dhe ata e kanë pranuar praktikën.
Ylli Bufi – Unë dua të sqaroj që këto borxhe nuk i negocion Kuvendi, as komisioni përkatës. Ne shqyrtojmë projektligjin që na paraqitet dhe, siç u shpjegua këtu edhe nga deputetë të tjerë, këto marrëveshje janë hartuar nga qeveritë përkatëse në kohën që kanë qenë, kurse ne kemi për detyrë vetëm t’i ratifikojmë, jo të negociojmë e të bëjmë marrëveshje.
Ridvan Bode – Së pari, në komision ne marrim pjesë dhe unë mund të jem personi që s’kam munguar asnjëherë. Nuk është e vërtetë që ky projektligj është diskutuar aty kur kemi qenë edhe ne prezentë. Nuk mund të mohoj që ky projektligj mund të jetë diskutuar, por në momentin që ne kemi qenë prezentë, nuk është diskutuar.
Cili është problemi? Nuk është e vërtetë që bëhet fjalë për një borxh shtetëror të tipit që përmendi z. Lesi, që 38 milionë dollarë janë të kleringut tregtar midis dy vendeve. Këtu shtohet një 78 milionë dollarësh që ka të bëjë tërësisht me një ngarkesë të mallrave tekstile, që unë rastësisht e di, se mund të mos e dija fare dhe këtu mund të mos bëhej fare ky debat. Kjo do të thotë që këtu nuk ka fare transparencë në miratimin e ligjit.