Bukë me gjath

Nga Ilir Metaj
Në një treg ku gjithçka ulërin për vëmendje, si një teatër i zhurmshëm pa substancë, ata (ri)zgjodhën thjeshtësinë e traditës – dhe fituan.
Radhët e gjata për “bukë me gjath” ishin si një referendum gastronomik që shpalli me shumicë absolute: shija shqiptare nuk ka rival, kur bëhet me shpirt shqiptar!
Dy vëllezërit e “Mrizit të Zanave”, Antoni dhe Altini,na treguan se rruga drejt majave fillon gjithmonë te rrënjët. Sepse rrënjët tona nuk mbajnë vetëm historinë, por edhe fuqinë për të krijuar.
“Bukë me gjath” është më shumë se thjesht një gjetje për ushqim të shpejtë – është ftesë për të gjithë ne: të besojmë te toka jonë, te traditat dhe te fuqia jonë për t’i kthyer ato në histori suksesi.
Nuk ka magji më të madhe sesa të marrim të zakonshmen dhe ta kthejmë në të jashtëzakonshme.
“Mrizi” nuk na ofroi një panine – na dha një manual. Një leksion se si të bëjmë shumë nga pak, se si një ide e thjeshtë kthehet në markë, dhe se si një produkt shqiptar jo vetëm fiton, por edhe frymëzon.
Duhet të ndjekim këtë shembull, sepse Shqipëria nuk ka nevojë për shpikje të mëdha, por vetëm për të nxjerrë në pah atë që tashmë kemi.
Çdo “bukë me gjath” që bëhet me dashuri shqiptare është një tjetër provë se, kur kreativiteti ushqehet nga rrënjët tona, rezultatet janë të paimagjinueshme.
Në fund, kjo histori e vogël por plot dashuri, tamam si përrallë magjike Krishtlindjeje, është një mësim që nuk duhet ta harrojmë: nëse duam të arrijmë lart, nuk duhet të shohim nga qielli, por nga rrënjët!
Te rrënjët tona, gjendet forca e të gjitha majave ku duam të shkojmë!
*Deputeti i PS