Hora e Arbëreshëve! Narrativa arbëreshe greqisht

Muajin e kaluar Patriku Ekumenik Bartolomeos bëri një vizitë historike në komunitetin arbëresh në Kalabri. Gjatë kësaj vizite u zbatua porosia dhe nuk u shfaq asnjë flamur shqiptar.
Madje në njoftimet zyrtare të Patrikanës greqisht nuk u përmend emri “shqiptar”, duke i ardhur vërdallë me termat “shqipfolës” dhe “arvanit” (αρβανίτες), i cili ky i fundit përdoret nga grekët për të cilësuar shqipfolësit grekë, për t’i dalluar e ndarë ata nga shqiptarët!/Konica.al
Para se të komentohet kjo vizitë hijerëndë, sidomos në lidhje me lojën përçarëse që bën kleri arbëresh duke mbështetur Autorin e Shkombëtarizimit të KOASh-it, kryepeshkopin Anastasios Janullatos, le të kujtojmë paravizitën e vitit 2015 në Kalabri, kur Patriku dërgoi atje hierarkun më të fuqishëm mbas tij, kryepeshkopin e sotëm grek të Amerikës.
Për t’ju informuar përktheva nga greqishtja një shkrim të vetë Peshkopatës arbëreshe të Lungro-s, i botuar në agjencinë më të madhe të lajmeve kishtare greqisht, Romfea.gr (tetor 2015).
Në këtë narativë arbëreshe greqisht, në vetë të parë shumës, çdo fjali është shumë e peshuar.

Vini re! Autori i shmanget termit “shqiptar” dhe “shqip” si djalli temjamit…
Janë të njëjtët autorë që shkojnë e pozojnë në Shqipëri me duart përpjetë, duke bërë shkabën në ajër, mbasi janë ndalur më parë në Athinë, për të thënë atje me plot gojën: “Jemi grekë”!
Lidhja në fund të postimit përcjell tek shkrimi origjinal greqisht.
Shënim: Termi i mjegullt greqisht “jenos” përkthehet këtu si “komb”, pa interpretime tonat, siç përkthehet ky term nga e njëjta agjensi në shkrimet e saj anglisht (Nation).
ME SHKAS NJË VIZITË NË ITALINË E POSHTME
Këto ditë në Kalabri përjetuam emocione të mëdha. Jetuam ngjarje që ëndërronim për shumë dhjetëvjeçarë.
Sa kohë kemi që prisnim me padurim vizitën e një hierarku ortodoks grek, dhe madje të një kryeprifti nga Kostandinopoja, nga Qyteti për të cilin këndojmë në fshatrat tona, Qyteti që ua tregojmë fëmijëve tanë, siç kemi dëgjuar nga nënat dhe gjyshet tona: me Patrikun e Kombit, kështjellat e pamposhtura, Ajiasofinë, Bosforin, manastiret, shenjtorët.
Dhe ja ku Patriku ynë Bartolomeu dha bekimin dhe na dërgoi Mitropolitin e Prusës, Hirësi Elpidoforos-in, Igumenin e Shkollës Teologjike të Halkit.
Z. Elpidoforos na foli së pari mbi 50-vjetorin e Tërheqjes së Anatemave (mallkimeve) të ndërsjella, midis Romës dhe Kostandinopojës, në 1965.
Fjalimi u mbajt në Catanzaro të Kalabrisë, si pjesë e takimit të përvitshëm ekumenik që organizon Peshkopata e Lungro-s, me nismën e Hirësisë së Tij, Donatit.
Ne, besnikët e Italisë së poshtme, përfituam shumë nga i dërguari i Patrikut Ekumenik në vendin tonë të harruar dhe e shoqëruam për t’i treguar Manastiret, Kishat dhe fshatrat tona.

PO CILËT JEMI NE?
Pas rënies së Kostandinopojës (1453), dhe në mënyrë edhe më masive pas rënies së Koronës dhe Methonit (1534), një numër i madh romësh [romei], të cilët perëndimorët i quanin grekë, u nisën për në Italinë Jugore dhe u vendosën në të njëjtat vende që i përkisnin Bizantit për shekuj me radhë.
Pjesa më e madhe e këtyre refugjatëve vinin nga Morea (Peloponezi) dhe përbëheshin nga grekë dhe arvanitë, të cilët gjatë shekujve të 13-të dhe 14-të kishin ripërtërirë në popullsi ato zona që kishin shkatërruar bullgarët.
Grekët dhe arvanitët mbërritën në Itali të shoqëruar nga priftërinjtë e tyre dhe në shumë raste ripërdorën të njëjtat kisha që deri para pak dekadave ishin bizantine. Po kujtoj këtu kishën e Shën Adrianit dhe Natalisë, e themeluar nga Shën Nili i Rosano-s, e cila sot ndodhet në komunën S. Demetrio Corone. Po ashtu edhe kisha e Shën Anargjendëve Kozma dhe Damian në komunën S. Cosmo Albanese, kisha Santa Maria delle Fonti di Lungro, si dhe dhe kisha e Shën Vasilit Craterete, në komunën San Basile.
Gjatë periudhës së parë të nguljes së tyre, grekët (siç quheshin të sapoardhurit), gëzonin liri të plotë fetare nga papët e Romës.
Për shugurimin e priftërinjve të tyre, Patriku i Kostandinopojës dërgonte në Itali peshkopin e Ohrit.
Marrëdhëniet me klerin latin ishin gjithashtu shumë të mira, duke pasur parasysh se ishte vetë peshkopi ortodoks i Koronës, Benedikti, i cili shoqëroi një grup bashkatdhetarësh në Itali, të cilët u mirëpritën ngrohtësisht në S. Demetrio Corone.
Me kalimin e viteve marrëdhëniet me klerin latin u përkeqësuan. Greko-arvanitët konsideroheshin heretikë, sepse recitonin Besoren pa shtesën “filioque”, sepse priftërinjtë e tyre martoheshin, dhe se kungonin edhe foshnjat.
Nisi një periudhë mjaft e trazuar në marrëdhëniet midis greko-arvanitëve dhe latinëve.
“Në vitin 1564 Papa Pius IV tërhoqi juridiksionin që iu ishte dhënë deri atëherë peshkopëve të refugjatëve grekë, dhe megjithëse ruajti të drejtën e tyre për të qenë të lirë që të meshojnë sipas ritit ortodoks, Papa kishte kultivuar nevojën që ata të ktheheshin drejt katolicizmit, dhe të futen nën mbikëqyrjen e peshkopëve latinë. Ky ishte përfundimi i reformave të Sinodit të Trentos, që do të kishte si mbaresë, në vitin 1595, të ashtuquajturën “Istruzione Clementina”, e cila duhej të zbatohej prej peshkopëve latinë që kishin nën juridiksionin e tyre grekët ose arvanitët” (Korolevskij).

Duke u detyruar të nënshtrohen nën juridiksionin e peshkopëve latinë, prapëseprapë ata vazhduan të recitonin Besoren pa shtesën “filioque” dhe të kishin priftërinj të martuar.
Veçse për peshkopët latinë, siç u përmend më sipër, greko-arvanitët shiheshin si heretikë dhe burim skandali për besimtarët katolikë. Filloi, pra, një luftë e vërtetë për latinizimin e tyre.
Greko-arvanitët reaguan me gjithë fuqinë e tyre, duke rrezikuar madje edhe jetën. Një shembull i spikatur është latinizimi i fshatit Spezzano Albanese, i cili u krye në vitin 1667, kundër vullnetit të shumicës së besimtarëve, dhe pas vrasjes së protoprezviterit [prift i parë], Nikollë Basta./Konica.al
Papët e Romës fillimisht e kundërshtuan këtë latinizim të dhunshëm, por në vijim dhe nën trysninë e peshkopëve vendas, dhanë pëlqimin e tyre.
Sidoqoftë, duhet të kujtojmë se atëbotë liria e ndërgjegjjes nuk njihej dhe se greko-arvanitët, të cilët banonin në një trevë nën juridiksionin kanonik të primatit të Romës, duhej t’i nënshtroheshin Papës.
Madje edhe në vitin 1910, Kryepeshkopi i Rossano-s, Orazio Gazzella, shkroi në organin katolik “Propaganda Fide”: “Mëtohet një zgjidhje rrënjësore dhe kjo mund të jetë ndalimi i plotë i kryerjes së shërbesave liturgjike sipas ritit ortodoks”.
Kjo përplasje e vazhdueshme midis grekëve dhe latinëve zgjati deri më 13 shkurt 1919, kur më në fund u krijua peshkopata që do të kryente shërbesat liturgjike sipas ritit ortodoks, duke pasur për seli qytetin Lungro.
Që atëherë nisi puna për të rivendosur ritin origjinal bizantin, duke hequr ndërhyrjet latine që ishin shtuar ndër shekuj. Të gjitha kishat sot kanë një stil të pastër bizantin.

Shtatoret latine të shenjtorëve u hoqën gradualisht, pavarësisht vështirësive të krijuara nga besimtarët e mësuar me ato.
Deri në kohën e Sinodit II të Vatikanit, në ceremonitë fetare përdorej vetëm greqishtja. Mbas Sinodit përdoret edhe arvanitishtja.
Në vitin 1937 u krijua peshkopata tjetër në Piana degli Albanesi, e cila përfshin komunat Piana degli Albanesi, Contessa Entellina, si dhe komunat ku shumica e besimtarëve janë latinë, në Santa Cristina Gela, Palazzo Adriano dhe Mezzojuso. Historia përsëritet. Tashmë janë besimtarët ata që ndjekin ritin latin dhe nuk duan të ndjekin një peshkop të ritit ortodoks bizantin.
Këto që u parashtruan më sipër përbëjnë të dhëna përmbledhëse, të cilat sidoqoftë besoj se janë të dobishme për të njohur më mirë realitetin tonë, si dhe dashurinë tonë për Kishën Mëmë Ortodokse dhe për Patrikun Ekumenik, e cila dashuri mbeti e pacënuar ndër shekuj.
E ruajtëm me shumë mundim, dhimbje dhe madje me gjak. Paguam shtrenjtë besnikërinë tonë ndaj gjuhës greke, qëndrimin tonë të palëkundur në Besoren Ortodokse.
Priftërinjtë tanë lyen me gjak rason e zezë dhe kamillafin, të cilat vazhdojë t’i mbajnë në fshatrat e tyre, me mburrje të madhe dhe nderim të lartë.
Vizita që bëmë tek Patriku ynë në vitin 2013 u ringjall sot nga prania e një Mitropoliti Shpresëprurës [Elpidoforos – shpresë-prurës] nga Kostandinopoja.
Kudo ku shkoi në Kalabri Hirësi Elpidoforos, të gjithë e mirëpritën dhe e përqafuan si një engjëll të Zotit, të dërguar nga Fanari, për të hedhur vaj në kandilin e pashuar të romiosisë së Greqisë së Madhe!/Konica.al
Përktheu nga greqishtja, At Foti Cici
Marrë nga Romfea.gr (25 tetor 2015)