FOTO: “Si në Milano”, Philipp Plein me hotel në Tiranë, parashikohet te kullat e reja te Liqeni

The Plein Hotel, marka e njohur e stilistit me famë botërore Philipp Plein, do ketë një destinacion edhe në Tiranë. Grupi Plein ka nënshkruar me kompaninë shqiptare që operon në fushën e pronave të patundshme, X One shpk, e drejtuar nga Ylli Ujka dhe Çesk Ivanaj.

Hoteli pritet të jetë brenda kullave që do mbajnë emrin “Grand Park Skyline” e që pritet të ndërtohen në hyrje të Parkut të Liqenit Artificial, ngjitur me derën e Gardës së Republikës, ne vendin ku sot gjendet ndërtesa katër katëshe e Tirana Bank, e cila do prishet.

Leja është miratuar nga Rama në gusht dhe struktura përfshin 3 kulla (dy rezidenciale dhe një hotel). Kullat janë projektuar nga arkitekti zvicerian, Valerio Olgiati.

Sipas njoftimeve hoteli do ketë të paktën 150 dhoma, 100 rezidenca me shërbime 24/7, e menduar për një “klientelë të zgjedhur”. Në brendësi do të jetë edhe një lokal brand me emrin Philipp’s, një restorant japonez ‘Sukaru Ba’ dhe një klub ‘Crystal Beach’.

Të gjitha detajet janë sipas modelit nga The Plein Hotel i Milanos dhe pasqyrojnë luksin dhe stilin karakteristik të Philipp Plein.

Kullat janë rreth 40 kate. Koha e parashikuar e ndërtimit të Grand Park Skyline është afërsisht 5 vjet, me një hapje të pritshme rreth vitit 2030. Sipas ndërtuesve, prenotimet për rezidencat e luksit kanë filluar prej një muaji.

“Jemi shumë të lumtur që, për një pronë kaq unike në panoramën europiane, është zgjedhur marka Philipp Plein dhe formatet tona të hotelerisë, argëtimit dhe gastronomisë”, tha Philipp Plein, stilist dhe drejtor ekzekutiv i Grupit Plein.

“Ne vendosëm në mënyrë strategjike, tha Ylli Ujka, CEO i X One, të krijojmë këtë partneritet me një nga markat më ekskluzive në skenën ndërkombëtare, stili dhe avangarda e të cilit besojmë se janë në përputhje me ofertën tonë.”

Carmine Rotondaro, Këshilltar i Biznesit i Grupit Plein, i cili negocioi marrëveshjen me X One, deklaroi se “për Grupin Plein, kjo marrëveshje përfaqëson një tjetër gur themeli në rrugën e rritjes dhe do bëhet një nga pikat e referimit të Tiranës dhe Shqipërisë”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT