FOTO: Ditëlindja e Berishës, në SPAK? Këto faksimile dëshmojnë se ish-kryeministri nuk ka lindur në 15 tetor (kronologji e një falsifikimi)

Sali Berisha festoi në 15 tetorin e këtij viti që po mbyllet – ditëlindjen e tij të 80-të. Kjo ditë e shënuar për të e gjeti Berishën nën “arrest shtëpie”, i akuzuar nga SPAK për korrupsion në rastin e dosjes “Partizani”.
Berisha nuk mungoi në dritaren e shtëpisë së tij, në një fjalim ku falenderoi mbështetësit për urimet. Në dritare, u shfaq edhe Liri Berisha, bashkëshortja e tij, dhe së bashku valëvitën për disa çaste flamujtë e Partisë Demokratike.
“Kjo është ditëlindja që unë ndjehem më i frymëzuar, më i motivuar dhe më krenar se kurrë në jetën time me ju”, tha Berisha në përfundim të fjalës së tij.
Sot raportohet se do ketë një padi në SPAK për falsifikimin e bërë me ditëlindjen e Berishës.
DITA që ka botuar disa vite më parë provat e këtij falsifikimi po i risjell ato në kujtesën e publikut dhe të hetuesve nëse do merren vërtetë me këtë denoncim.
Është thënë disa herë që ai ka falsifikuar dy nga gjeneralitetet e tij. Mungesa e provave si dhe djegia e çuditshme e dokumentave të familjes së tij në vitin 1997 në Tropojë e bënte të pamundur vërtetimin e kësaj akuze, ashtu siç ka ndodhur rëndom edhe në rastet e akuzave të tjera shumë më të rënda.
Por në shtator 2021, DITA publikoi për herë të parë dokumentat që provojnë falsifikimin e regjistrit të Gjendjes Civile dhe për më tepër, falsifikimin e Formularit të Dekriminalizimit.
Kjo gjë sipas ligjit, duhet të çonte në heqjen e mandatit të deputetit dhe në dënimin e ish-Kryeministrit.
Në dokumentat origjinale fillestare të Sali Berishës, datëlindja e tij është 1 korrik 1944. Këtë ditëlindje ai ka patur edhe në fletën e Regjistrit ku rezulton me prindërit dhe gruan, por edhe kur është ndarë nga trungu (shih faksimilet më poshtë):


Nga dy dokumentat e mësipërm rezulton qartë që datëlindja e Berishës është 1 korrik 1944.
Por ai e festonte para ’90-s datëlindjen në 16 tetor, kur gjithë Shqipëria festonte ditëlindjen e Enver Hoxhës, madje ftonte miq e kushërinj në të njëjtën datë.
Pasi i vuri gjoksin “revolucionit” të madh të dhjetorit ’90, demokratit të ri, nuk i rrinte mirë historia e datëlindjes. Meqë kishte shumë dëshmitarë të festave, ai nisi të thoshte gënjeshtrën e dytë, që kishte lindur në 15 tetor, megjithëse kishte festuar në 16.
Në të vërtetë Saliu nuk është lindur as në 15, as në 16 tetor. Datëlindja e doktorit është 1 korrik dhe është falsifikuar në mënyrë të trashë në regjistrin e Gjendjes Civile me shkrim dore të mbivendosur, pa asnjë vendim gjykate, siç e dikton ligji.


DITA posedon edhe emrat e personave që kanë ndërhyrë në regjistër si dhe urdhëruesin e falsifikimit. Por në këtë pikë, i rëndësishëm nuk është as identiteti i tyre dhe as Enveri, të cilit i jargaviteshin shumë si Saliu.
Ka rëndësi fakti që ky falsifikim duhet të kishte pasoja sipas Ligjit për Dekriminalizimin. Në formularin që mbushet bazuar te ky ligj, ka një pikë specifike mbi ndryshimin e gjeneraliteteve. Ato duhen deklaruar. Berisha rezulton që ka gënjyer edhe aty:

Disa vite më parë kur këto dokumente – të botuara, siç e thamë më sipër, për herë të parë nga DITA në shtator 2021, – nuk njiheshin, Berisha u pyet nëse e ka ndërruar ditëlindjen dhe pse nuk e ka deklaruar këtë në Formularin e Dekriminalizimit (kliko).
Berisha dha nga ato përgjigjet e tij tipike duke folur jo për veten por për Edin që e kishte emrin Edvin. Madje shtoi se formulari nuk kishte kërkesa të tilla. Sigurisht që gënjeu prapë. Formulari, e kërkon qartazi deklarimin e ndryshimit të gjeneraliteteve.
Për më shumë lexoni DITA, versioni online i gazetës
