Sanksionet ndaj destabilizuesve të Ballkanit, a do të mbeten në fuqi me rikthimin e Trump

Nga Baton Haxhiu

Vendimi i fundit i administratës së Presidentit Joe Biden për zgjerimin e sanksioneve ndaj individëve dhe institucioneve që kërcënojnë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor përfshin një koncept të gjerë kriteresh që synojnë të ndëshkojnë ata që minojnë marrëveshjet e paqes, zhvillimin demokratik dhe luftën kundër korrupsionit. Sipas burimeve të Departamentit Amerikan të Shtetit, Kosova është një ndër vendet që pritet të jetë në fokus të këtyre masave, duke përfshirë figura të larta politike dhe zyrtarë të lidhur me vendimmarrje që pengon paqen dhe stabilitetin.

Konkretisht, individët që mund të përballen me këto masa janë ata që kanë refuzuar të zbatojnë marrëveshjet e ndërmjetësuara ndërkombëtarisht ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë marrëveshjet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe angazhimet e tjera të dakorduara në Bruksel dhe Ohër.

Burime të afërta me institucionet ndërkombëtare bëjnë të ditur se veçanërisht individë që kanë pasur një rol të drejtpërdrejtë në politikat e sigurisë, përfshirë drejtues të ministrive kyçe si ajo e rendit dhe institucioneve që merren me zbatimin e ligjit, janë ato në listë të sankcioneve.

Përveç çështjeve të sigurisë, përfshirja në korrupsion të nivelit të lartë dhe keqpërdorimi i fondeve publike janë kritere të tjera që SHBA ka shqyrtuar me kujdes. Figura politike, ish-zyrtarë të lartë dhe persona të lidhur me rrjete kriminale që kanë ndikuar në destabilizimin e brendshëm dhe rajonal kanë përfunduar në listë të vendimit të Uashingtonit.

Kosova, si një shtet në tranzicion demokratik, është veçanërisht e ekspozuar ndaj këtyre shqetësimeve, dhe bashkësia ndërkombëtare dhe veçanatisht Washingtoni, ka qenë e qartë në kërkesën për përmirësim të qeverisjes dhe luftë të pakompromis ndaj korrupsionit.

Shtetet e Bashkuara kanë zgjeruar sanksionet ndaj individëve dhe subjekteve që kërcënojnë stabilitetin dhe integritetin në Ballkanin Perëndimor. Këto masa synojnë të adresojnë veprimet e atyre që minojnë marrëveshjet paqësore dhe institucionet demokratike në rajon.

Konteksti i sanksioneve e ka vendimin në vitin 2021.

Në qershor të këtij viti, Presidenti Joe Biden nënshkroi një Urdhër Ekzekutiv që zgjeron hapësirën gjeografike të regjimit ekzistues të sanksioneve, duke përfshirë edhe Shqipërinë, dhe zgjeron kriteret për kërcënimet aktuale ndaj sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe interesave të politikës së jashtme në rajon, duke përfshirë pengimin e proceseve demokratike dhe gjyqësore, korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Në Shqipëri, SHBA-të kanë vendosur sanksione ndaj një numri individësh dhe subjektesh për aktivitete që minojnë paqen dhe stabilitetin. Në Shqipëri, janë sanksionuar gjashtë individë, përfshirë ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla, ish-deputetin Tom Doshi, ish-Kryetarin e Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, ish-deputetin Aqif Rakipi dhe pronarin e mediave Ylli Ndroqi, për përfshirje në korrupsion dhe aktivitete që minojnë demokracinë.

Në Kosovë, ndërsa nuk janë publikuar emra specifikë, sanksionet synojnë individë dhe grupe që minojnë paqen dhe stabilitetin, përfshirë ata që pengojnë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe angazhohen në aktivitete korruptive.

Vendimi i SHBA-ve nuk kufizohet vetëm te Kosova. Në Bosnje dhe Hercegovinë, individë dhe institucione që kanë penguar Marrëveshjen e Dejtonit janë në listë, përfshirë ato që kanë refuzuar të bashkëpunojnë në ndërtimin e institucioneve të përbashkëta shtetërore dhe kanë nxitur ndarje etnike.

Në Maqedoninë e Veriut, vëmendja është e përqendruar te ata që kanë minuar Marrëveshjen e Ohrit, e cila i dha fund konfliktit ndëretnik dhe hapi rrugën për stabilizim dhe integrim euroatlantik të vendit. Por së funmdi në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara është edhe ish-zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, si dhe gjykatësi i Gjykatës së Apelit, Enver Behxheti, për shkak të përfshirjes në “korrupsion të madh”.

Ekspertët ndërkombëtarë theksojnë se ky vendim nuk është vetëm një masë ndëshkuese, por edhe një përpjekje për të forcuar shtetet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian. Duke goditur korrupsionin e nivelit të lartë dhe ata që minojnë institucionet demokratike, SHBA synon të krijojë një mjedis më të favorshëm për zhvillim dhe bashkëpunim rajonal.

Sanksionet e reja përfshijnë ngrirjen e aseteve të individëve dhe ndalimin e hyrjes së tyre në Shtetet e Bashkuara. Këto masa gjithashtu mund të shtrihen tek kompanitë dhe entitetet që bashkëpunojnë me individët e sanksionuar.

Vendimi nënvizon angazhimin afatgjatë të SHBA-së për të mbështetur paqen dhe stabilitetin në rajon, duke ndëshkuar ata që përpiqen ta destabilizojnë atë për interesa personale apo politike.

Ndërsa emrat e përveçëm nuk janë bërë publikë, qëllimi i këtyre masave është i qartë: të promovojë llogaridhënien, të ndalojë korrupsionin dhe të forcojë bashkëpunimin për stabilitetin rajonal.

Për vendet e Ballkanit Perëndimor, ky vendim është një kujtesë se paqja dhe demokracia janë procese të vazhdueshme që kërkojnë përkushtim dhe reformë të pandërprerë.

Megjithatë, mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë me këtë vendim pas datës 20 janar, kur Donald Trump pritet të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë.

Administrata e re mund të ndryshojë qasjen ndaj politikës së jashtme në Ballkanin Perëndimor, duke ndikuar drejtpërdrejt në fatin e sanksioneve të miratuara nga Presidenti Biden në fund të mandatit të tij. Trump, i njohur për qasjen e tij të paparashikueshme dhe të drejtpërdrejtë, mund të zgjedhë të respektojë vendimin ekzistues ose të ndërmarrë hapa që ndryshojnë ndjeshëm politikat ndaj rajonit.

Analistët ndërkombëtarë theksojnë qartë tashmë se nëse administrata Trump vendos të zbusë masat aktuale ose të anulojë disa prej tyre, mund të krijohet një situatë e re politike që do të ndikojë në mënyrën si trajtohen marrëdhëniet rajonale dhe përpjekjet për integrim euroatlantik.

Nga ana tjetër, nëse këto masa do të mbeten në fuqi, pritet që presioni ndaj liderëve të korruptuar dhe destabilizuesve të vazhdojë edhe gjatë administratës së re.

Në çdo rast, të ardhmen e këtyre sanksioneve e përcakton jo vetëm politika e brendshme amerikane, por edhe angazhimi i vendeve të Ballkanit për të përmbushur reformat e kërkuara dhe për të ruajtur stabilitetin në rajon.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT