“Për kojshinë e keq kemi ushtrinë dhe policinë”, Kurti hap fushatën, mesazh Vuçiçit: “Do t’ju ndjekim cep më cep…”

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ndryshe nga dy partitë opozitare, PDK e LDK që zgjodhën Prishtinën për tubimet hapëse, e ka çelur në Gjakovë fushatën për zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë.
Kryeministri Albin Kurti në fjalën e tij u ndal gjatë te raportet me Serbinë: “Ne nuk mund ta ndryshojmë gjeografinë dhe historinë por ne mund ta ndryshojmë të ardhmen duke filluar qysh tash” – tha Kurti.
“Për rininë e kemi punësimin, për gratë e kemi barazinë, për opozitë e kemi opozitën, për Serbinë e kemi policinë, e ushtrinë, e dialogun, për pleqtë e kemi pensionin dhe për të gjithë e kemi shëndetësinë. Pra secili në vend të vetit”, shtoi ai duke dërguar një mesazh të qartë në Beograd.
“Janë dy parti, të cilët kanë qeverisur më së gjati. Herë bashkë e herë ndaras, por të cilat na e kanë bërë dëmin më të madh në raport me kojshinë tonë të keq. Njëra prej këtyre partive, LDK është e tillë që Presidenti i Serbisë i thotë “Razumen”, dhe partia tjetër PDk është e tillë që Presidentit të Serbisë i thotë: “We are not problematic guys”.
Por, koalicioni jonë, Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa i thotë atij ashtu siç është: Ministër i Millosheviçit, aparati shtetëror e kriminal i të cilit nuk do të ketë vend sepse do ta ndjekim në çdo kënd, cep më cep, në Republikën e pavarur, demokratike e progresiste të Kosovës”, tha Kurti.