Rrethrrotullimi që vret njerëz/ U projektua për të favorizuar një lokal në anë të rrugës (VIDEO)

Vetëm pak ditë më parë në rrethrrotullimin e Kolonjës në aksin rrugor Lushnjë-Fier ndodhi një aksident i rëndë me dy të vdekur dhe një tjetër të plagosur. Të rinjtë nga Roskoveci ishin duke udhëtuar në mbrëmje përgjatë këtij segmenti, por pas një aksidenti humbën jetën Orgest dhe Alteo Shabani, ndërsa mbeti i plagosur Alban Doksani.

Rruga Lushnje Fier, u inagurua në prill të vitit 2009, nga qeveria “Berisha”. Devijimi i kësaj rruge, nëpërmjet këtij rrethrrotullimi u bë për të favorizuar një biznes, pikërisht lokalin që ndodhet në këtë vend dhe që prej disa vitesh nuk është më funksional.

Ekspertët thonë se “devijimi i asaj rruge është bërë për shkak të atij lokalit që ndodhet aty”. Artur Sulçe një prej ekspertëve më të mirë të aksidenteve rrugore thotë se “devijimi është një gabim i projektuesit apo ndërtuesit. Ajo mund të ishte zgjidhur më një korsi ngadalësimi për të hyrë në Kolonjë dhe një korsi shpejtimi për qytetarët e Kolonjës për të hyrë në qarkullim dhe nuk ishte nevoja të kishim kaq aksidente”, u shpreh Sulçe.

E gjithë kjo situatë, ashtu siç e shpjegon dhe eksperti, idealisht mund të ishte zgjidhur nëse do të aplikohej një projekt i tillë. “Në këtë mënyrë nuk do të pengohej edhe lëvizja e mjeteve që lëvizin aty, por do të rritej shpejtësia e qarkullimit, pikërisht për t’i shërbyer qëllimit që është ndërtuar kjo rrugë, për t’i shërbyer bregdetit”, shprehet Artur Sulçe.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT