Si i bleu portalet në Shqipëri, koncesioni abuziv i RINAS-it

Aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas është e vetmja portë ajrore e Shqipërisë. Të martën, emisioni Top Story në Top Channel denoncoi me fakte dhe shifra një prej kontratave më abuzive në historinë e shtetit shqiptar. Kontrata skandaloze, që dëmton rëndë xhepat e qytetarëve dhe që zhduk konkurrencën e lirë, ka rezultuar një minierë ari për koncesionarin, që u bë zot i qiellit shqiptar për 20 vjet.
Në kontratë thuhej se për 250 km në vijë ajrore, që është thuajse gjithë pjesa e Republikës së Shqipërisë nga Konispoli deri në Vermosh, nuk duhet të hapet asnjë aeroport tjetër. Zona ekskluzive prodhoi edhe biletat më të shtrenjta në Evropë, për një prej popujve më të varfër.
Por, fitimet marramendëse në kurriz të shqiptarëve që shkojnë deri në masën 50% dhe që e rëndisin koncesionarin në vendin e pestë si kompania më fitimprurëse në Shqipëri, çuditërisht nuk tërhoqen vëmendjen e portaleve në Shqipëri.
Pavarësisht se bëhej fjalë një çështje shumë sensitive dhe që është ngritur vazhdimisht si shqetësim nga qytetarët për shkak të çmimeve të kripura të biletave, asnjë portal nuk iu bashkua nismës së denoncimit të këtij skandali.
Portalet kritike ndaj qeverisë, si Syri.net i Çim Pekës, që shkruan për çdo gjë (edhe fake neës), heshti përballë këtij megaskandali. Shifra marramendëse e fitimeve, ku rezulton se koncesionari ka arkëtuar mbi 380 milionë euro në 12 vite, nuk u raportua. Në fakt nuk është hera e parë që Çim Peka hesht për çështje me interes madhor për publikun.
I njëjti parim është ndjekur edhe me helmin që hodhi në treg ish-ministri Niko Peleshi, apo me shkeljet e Nadir Çaushollit me ilaçet, ku shiteshin 18 herë më shtrenjtë. Sepse ky është standardi i gazetarisë për Çim Pekën; lajm nuk përbën shëndeti i shqiptarëve, ekonomia e tyre, siguria. Për Çim Pekën, lajm përbën lajmi sensacional, lajmi i rremë; si informacioni kriminal për tërmetet që nxori në rrugë gjithë Tiranën.
Megaafera e Rinasit nuk u raportua as nga disa portale të tjera si Newsbomb i Anila Bashës, Mapo, Liberale, Lapsi, e shumë media të tjera online.
Siç duket, ata ndjehen komod me faktin se qytetarët më të varfër të Evropës, paguajnë biletat më të kripura në kontinent, ndërsa koncesionari vazhdon të pasurohet qetësisht në kurrizin tonë.
Natyrshëm shtrohet pyetja; A i bleu portalet në Shqipëri, koncesioni abuziv i RINAS-it?