Çfarë ndodh me amerikanët në Shqipëri nëse Berishës i hiqet non grata, sipas botuesit të njohur

Botuesi Mero Baze komenton “letrën” në Facebook që Berisha i ka nisur Trumpit, ku e ngre në qiell figurën e tij dhe ankohet se e kanë shpallur non grata armiqtë e të dyve.
“Nëse Berisha në SHBA është futur nën sanksione sepse, sipas tij, ishte qeveri e majtë, atëherë pse në Londër, që ishte qeveri e djathtë, madje qeveri trumpiste, ajo e Boris Johnson-it, ai u shpall “non grata” dhe i humbi të gjitha gjyqet duke harxhuar edhe 600 mijë paund dhe duke mbetur përjetësisht “non grata”? Apo trumpistët e Londrës i paguante Sorosi?” – thotë Baze.
Ai ngre më pas pyetjen nëse vërtet Trump do t’i heqë Berishës statusin e “non grata”, a do të bëhet Berisha figurë e nderuar për shqiptarët?
“Berisha është shpallur “non grata” fillimisht nga shqiptarët dhe më pas nga SHBA-të dhe Britania e Madhe. Heqja e “non grata”-s për Berishën është lehtësim i madh për politikanët e tjerë, përfshirë Edi Ramën, por për shqiptarët nuk thotë asgjë. Për politikanët e tjerë po. Sikur kjo të ndodhte teorikisht, njeriu më i gëzuar për këtë do të ishte Edi Rama.
Por nëse SHBA-të mund të poshtërohen nga lobistë e të heqin sanksionet, atëherë SHBA bëhet një vend qesharak në Shqipëri dhe nuk mund të imponojë më askënd. As me “non grata”, as me SPAK dhe as me reformën në drejtësi. Aty merr fund ndikimi amerikan në Shqipëri.
Nuk besoj që Berisha ua bën këtë nder kundërshtarëve të tij, të cilët e vetmja gjë që kanë frikë në këtë vend është SHBA-ja” – thotë analisti.