Korridori Adriatiko – Jonian dhe kostot 2.5 herë më të larta me PPP

Para pesë vitesh, Bashkimi Europian mori një vendim me rëndësi strategjike për Ballkanin.

Deri në vitin 2030, rajoni ku ne jetojmë do të lidhet me 9 korridoret rrugore më të rëndësishme europiane nëpërmjet autostradës Adriatiko – Joniane.

Kjo autostradë, që nis në Trieste, kalon në Kroaci, Malin e Zi, Greqi dhe më tej lidhet me portet e Stambollit, do t’i bashkëngjitet rrjetit europian në Itali, në të ashtuquajturin Korridori i Mesdheut, që nis në Spanjë e përfundon në Hungari.

Korridori i Mesdheut që do të përfshijë pjesën e bregut të Ballkanit, me rreth 300 kilometra në territorin shqiptar, më shumë se për transport, do të jetë një rrugë në funksion të një rajoni kulturor dhe turistik.

Të gjitha vendet ku aksi kalon nga Spanja në Greqi, korridori ofron pjesët më të bukura të kulturës, gjeografisë dhe turizmit të Europës, me një ofertë të pasur turistike. Ky aks merr rëndësi strategji, pasi lidhet me Korridorin e Mëndafshit në portet e Stambollit. Deri në Kroaci, thuajse korridori është i plotë, kurse nga Mali i zi dhe në Shqipëri, infrastruktura duhet të ribëhet gati në 70% nga e para.
BE, si planifikuesi i këtij projekti, është ofruar për financimin e tij, por në pjesën shqiptare, ashtu si të gjithë projektet e tjera, autostrada Adriatiko – Joniane ka një histori të komplikuar, si në drejtim të vonesave edhe kostove.

Në prill të këtij viti, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Ministria e Transportit mori propozimet e dërguara nga konsulenti “Konsorciumi i Kompanive WYG-COWL-Atkins-Arup”, për studimin e fizibilitetit. Studimi paraprak propozon gjurmën në territorin shqiptar nga Muriqani, Balldreni, Thumana, Bypass-i i Fierit, Memaliaj, Gjirokastër për të përfunduar në Kakavijë.

Sipas të dhënave nga Ministria e Transportit, që u referohen projektit, rruga në territorin shqiptar do të jetë e gjatë 295 kilometra, me një kosto paraprake (pa shpronësime dhe TVSH 2.6 miliardë euro). Por, ndërkohë, qeveria shqiptare ka nisur të japë me koncesione PPP segmente të veçanta të këtij korridori, me kosto 2-3 herë më të larta se studimi.

Në të gjithë gjatësinë e tij, ky korridor është mbi 1500 kilometër nga Trieste në Greqi, teksa në territorin shqiptar, shtrihen më shumë se 300 kilometra, ose 20% e totalit.
Gjurma, 13 segmentet ku do të kalojë

Sipas të dhënave nga studimi i parafizibilitetit, që disponohet nga Ministria e Transporteve, Autostrada Adriatiko-Joniane në territorin shqiptare nis në Muriqan dhe vazhdon në Balldren, Milot, Thumanë, Kashar, Lekaj, Konjat, bypass-in e Fierit, Levan, Poçem, Memaliaj, Subash, bypass-in e Gjirokastrës dhe përfundon në Kakavijë, në 13 segmente me gjatësi 318 kilometra, duke përfshirë edhe bypass-in e Fierit që është në proces ndërtimi. Nga këto 5 segmente do të ndërtohen nga e para, ndërsa 8 të tjerat do të jenë dublim dhe sjellja në parametra e një autostrade të kategorisë A, me shpejtësi 12 kilometër në orë.

Segmenti i parë, Muriqan – Balldren, 41 km
Segmenti i 2-të, Milot-Balldren, studimi zyrtar nxjerr koston 141 mln euro
D
okumenti zyrtar që ka Ministria e Infrastrukturës për parafizibilitetin e autostradës Adriatiko – Joniane, Balldren-Milot e përllogarit me një kosto 141 milionë euro, të cilat vlejnë për ndërtimin e 17 kilometrave autostradë, ndër të cilat do të ndërtohet edhe një Tunel. Megjithëse edhe ky segment, si 13 të tjerët e autostradës, është pjesë e zgjerimit të korridoreve europiane dhe për rrjedhojë do të financohet nga BE, qeveria shqiptare e ka dhënë me koncesion, bashkë me një segment tjetër kundrejt një vlere gati sa trefishi i përcaktimeve në projekt. Pak javë më parë, Parlamenti shqiptar e miratoi në mënyrë përfundimtare koncesionin me Partneritet Publik-Privat, i cili do të udhëhiqet nga kompania ANK.

Sipas kontratës, së miratuar tashmë në Kuvend, kosto e projektit të rrugës Milot – Balldren, me gjatësi totale 17.2 km, është 213.6 milionë euro, plus TVSH-në, ose 256 milionë euro përfshirë TVSH-në. Kontrata është e miratuar në euro, dhe pagesat, koncesionari do t’i marrë në euro, ndonëse qeveria shqiptare i merr të ardhurat dhe kryen pagesat në lekë. Me kursin aktual të këmbimit, ku 1 euro është rreth 122 lekë, kosto në lekë e kësaj kontrate në total është 31.2 miliardë lekë. Koncesioni është për 13 vjet dhe qeveria pritet të fillojë pagesat në vitin e tretë, konkretisht në 2022 për një periudhë prej 11 vitesh.

Por, qeveria, në kuadrin e saj afatmesëm, është e përgatitur të paguajë deri në 36.5 miliardë lekë për këtë koncesion, sipas tabelave të brendshme të hartuara nga Ministria e Financave për llogari të institucioneve ndërkombëtare dhe të siguruara nga “Monitor”. Pra shuma maksimale që qeveria parashikon të paguajë nga buxheti i saj është dhe 5.3 miliardë lekë, ose gati 44 milionë euro më shumë (e llogaritur me kursin aktual 1 euro = 122 lekë), sesa ajo e miratuar në kontratën nga Kuvendi, duke e çuar koston në total në 17 milionë euro për kilometër. Ndërsa, studimi zyrtar i fizibilitetit e përllogarit koston për këto segmente në 8.7 mln euro, për shkak edhe të tunelit që është pjesë e këtij segmenti. Për më tepër, ky segment në një pjesë të gjatë të tij, nga Miloti në Lezhë është një dublim i rrugës ekzistuese, ndërsa pjesa tjetër nga Lezha në Balldren kalon në një trase krejt të re, si një autostradë e kategorisë A, me shpejtësi 120 kilometër në orë.

Segmenti i 3-të, Milot – Thumanë, 13.5 km
Segmenti i 4-t, Thumanë – Kashar 21 km, kosto 155 mln euro, PPP 370 mln euro

Segmenti i katërt i autostradës Adriatiko-Joniane, Thumanë-Kashar, 21 kilometra, ka një histori të ndërlikuar, për shkak të përfshirjes së tij në paketën e koncesionit PPP. Sipas variantit zyrtar të prefizibilitetit në Ministrinë e Infrastrukturës, ky segment kushton 155 milionë euro. Por qeveria shqiptare, në programim buxhetor 2019 e vlerësuar këtë segment me 45 miliardë lekë ose rreth 380 milionë euro, kosto 2.4 herë më e lartë se ajo reale e paraqitur nga kompania e huaj në studim.
Kompania Gener 2, e cila ishte fituese e garës për këtë koncesion, pati nisur punimet më herët këtë vit përgjatë këtij aksi, por qeveria papritur e pezulloi koncesionin në mënyrë të njëanshme, me arsyetimin se fondet e programuara për këtë segment do të çoheshin te nisma për universitetin. Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, është shprehur se nga projekti i rrugës nuk do të hiqet dorë, pasi është një aks i rëndësishëm kombëtar, por ky i fundit do të shihet i integruar edhe me zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës.
Segmenti Thumanë – Kashar, sipas variantit zyrtar të prefizibiliteit shtrihet në një trase krejt të re në të 21 kilometrat e tij, si një autostradë e kategorisë A, me shpejtësi 120 kilometër në orë.

Segmenti 5B, Kashar-Lekaj, 33 kilometra
Sipas variantit zyrtar, segmenti i pestë i autostradës është Kashar-Lekaj dhe jo Kashar-Rrogozhinë, siç është planifikuar në planet e qeverisë për një koncesion të tretë me PPP përgjatë aksit të autostradës Adriatiko-Joniane. Ky segment nis në Kashar dhe përfundon në Lekaj të Kavajës, pak kilometra nga aksi kombëtar nacional. Sipas të dhënave nga Ministria e Infrastrukturës, ky është segmenti i dytë më i shtrenjtë i autostradës me kosto reale, pasi kërkon një financim prej më shumë se 450 milionë eurosh. Ky aks, me gjatësi 33 kilometra, do të kalojë në një trase krejtësisht të re, e cila parashikon edhe disa tunele në kodrat e Kasharit për të kaluar sërish në Ultësirë. Pavarësisht studimit të fizibilitetit, qeveria shqiptare ka projektuar për ta dhënë me koncesion edhe këtë rrugë nëpërmjet formës PPP, por planet për hapjen e garës u shtynë për shkak të problematikës që lindën me koncesionin e Thumanë -Kashar. Edhe ky segment do të jetë një rrugë e kategorisë A, me shpejtësi 120 kilometër në orë.

Segmenti 5C, Lekaj-Konjat, 14 kilometra

Segmenti i 6 dhe i 7, Konjat – Bypass-i i Fierit, 28 kilometra

Segmenti i 8, Bypass-i i Fierit, 28 kilometër

Në zonën e Fierit, autostrada Adriatiko-Joniane, sipas gjurmës zyrtare të fizibilitetit, pritet të kalojë në bypass-in e Fierit, i cili tashmë është në proces ndërtimi me financime të donatorëve. Por edhe ndërtimi i bypass-it të Fierit është një histori e komplikuar, si shumica e investimeve publike në Shqipëri, por punimet në 22 kilometrat e saj pritet të përmbyllen me një shumë prej 60 milionë eurosh, ose 2.7 milionë euro/km. Në vitin 2014, kur përfundoi tenderi për ndërtimin e saj, kompania italiane “Serenisima” mori përsipër ta ndërtonte këtë objekt me vetëm 38 milionë euro, ose me 1.7 milionë euro për kilometër.

Por një konflikt me nënkontraktorët shqiptarë, bëri që italianët të hiqnin dorë nga punimet, teksa qeveria dhe donatorët kontraktuan kompani të tjera, por gjithsesi punimet në këtë segment nuk do t’i kalojnë 2.7 milionë euro për kilometër. Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti Rrugor, bypass-i i Fierit është i gjatë 22 kilometër, autostradë interurbane me gjerësi 22 kilometra. Kosto për kilometër e projektit është 2.7 milionë euro dhe është një financimin i donatorëve BERZH dhe BEI. Bypass-i i Fierit është pjesë e korridorit të rëndësishëm Veriu në Jug.
Në këtë seksion është parashikuar ndërtimi i 3 urave me gjatësi nga 80 m secila në lumin e Semanit, në kanalin e Hoxharës dhe atë të Pojanit. Ky segment do të jetë një autostradë e kategorisë me B me shpejtësi 100 kilometra në orë. Kjo kategori rruge është me 4 korsi, por pa korsi emergjence.

Segmenti 9A, Bypass-i i Fierit-Poçem, 27 kilometra

Segmenti 9B, Poçem – Memaliaj, 37 kilometra, më i shtrenjti

Pjesa e dytë e segmentit 9, që nis në Poçem dhe përfundon në Memaliaj është më e shtrenjta e autostradës Adriatiko- Joniane. Aksi ka gjatësi 37 kilometra dhe sipas studimit të fizibilitetit do të kushtojë mbi 590 milionë euro, pasi pjesa më e madhe e tij shtrihet në një trase të re dhe në një zonë ku janë parashikuar të ndërtohen shumë tunele. Ky segment është parashikuar nga donatorët që të kontraktohet pas vitit 2025, për shkak të angazhimit të madh financiar.

Segmenti i 10, Memaliaj-Ura e Subashit, 20 kilometra

Segmenti i 11, Ura e Subashit – Bypass-i i Gjirokastrës 10 kilometra

Segmenti i 12, Bypass-i i Gjirokastrës

Back to top button
LAJMET E FUNDIT