Për sulmin e turpshëm ndaj profesorit Rexhep Qosja!

Nga Bardhyl Ermini (Bejo)

Në mënyrë intuitive, me subkoshiencë, sa herë që përpiqen të nëpërkëmbin emrin e profesor Rexhep Qosjes, aq herë ka trishtim. Në një faqe të tërë gazete, ka shprazur një mllef të pajustifikuar një prej “qindra” analistëve që quhen Baton në shumicë, sipas të cilit “ai (prof. Qosja) nuk shkruan si intelektual por si një thashethemexhi… si një vegël e pushtetit” (!).

Ka shtuar edhe dy-tre të tilla lloj këllirash, të cilat të vjen turp kur i lexon. Ankohet kaq paturp për profesorin zotnia! Ka edhe të tjerë nën Batonër në fakt, që notojnë nëpër këto ujëra, por jo kaq “thellë”. 

Natyrisht që nuk kam pse të vërtetojë se sa të gabuara, sa të pacipa dhe sa antishqiptare më duken mua këto akuza. Është njësoj si të vërtetosh se drita ndriçon dhe dallohet kur ajo depërton nëpër errësirë, e sidomos me këtë lloj obskurantizmi të qelbur antishqiptar. 

“Thashethemexhi”, ai që është i pari që mësoi shqiptarët e pas viteve 90-të që të jetojnë vetëm duke u mbështetur te e vërteta? “Thashethemexhi” ai që guxoi të na qortonte e më pas të na kurajonte se të qënit shqiptar nuk është turp, nuk është vjedhje e shkatërrim, nuk është prapambetje por është përparim. Ai që na tregoi armiqtë e vërtetë të shqiptarëve, ai që drejtoi gishtin i pari te ai dhe ata që i kishin tradhëtuar e shitur Shqipërinë dhe shqipëtarët!  

Kurajoja dhe guximi i paturpësisë është një forcë kaq e verbër, sa ç’është edhe tradhëtia në esencë. Tradhëti ndaj vehtes, ndaj miqëve e shokut, ndaj vendit tënd. Sepse çfarë vlere mund të ketë dikush kur thotë për profesorin shqiptar, më të mirin e më të urtëve, atij që ka folur e ka shkruar shqipen më të bukur që kemi dëgjuar për këto 35 vite se “ka mbetur peng i formimit të kufizuar me njohuri të plota vetëm në gjuhën sërbe”?!!

Çfarë mund t’i thuash kësaj lloj gjëje dhe këtij lloj robi të keq sa gjarpëri helmues, këtij provokatori të pabesë? 

“Peng i një formimi të kufizuar, me njohuri të plota vetëm në gjuhën serbe”? Po mirë, nuk ka problem. Sepse njohuri të plota në gjuhën ruse psh ka patur edhe Kadareja i madh, i cili ka studiuar në vendin e kësaj gjuhe. Po legjenda Çabej që e njihte gjermanishten më mirë se një gjerman? Ç’domethënë kjo?!

Ç’është kjo faqe e zezë të shfrytëzosh në këtë mënyrë e kaq kriminale njohjen për llogari të një ideje kaq makabre sa ç’është kjo akuzë e ulët e maskuar kaq keq kundër një  patrioti e mëmëdhetari shqiptar që nuk vjen më edhe për njëqind vite më tej? 

E gjitha kjo “histori” rrjedh pikërisht se profesor Qosja ka shprehur mbështetjen e vet për qeverisjen e Kryeministrit Kurti. Sidomos përkrahjen  e tij konkretisht në këtë periudhë zgjedhjesh parlamentare, përkrahje, e cila ç’është e vërteta vetëm këto kohë ka dalë apo është dëgjuar në këtë formë siç e shpall gazetari në fjalë, ai që quhet Baton. 

“Çdo veprim i Kurtit është “vizionar” (në thonjëza) dhe “historik” (në thonjëza), citon “miku“ Baton, profesorin dhe ajo që bie më shumë në sy është mbështetja që ai i bën ligjit mbi Konfiskimin e Pasurisë…”

Ja se ç’na qenka pra ajo që kryesisht ka prishur ekujlibrin besoj jo vetëm të analistit Baton por edhe shumë të tjerëve, poshtë dhe sipër tij. “Dil pak moj në penxhere, të të shoh moj secila je”.

Domethënë që nëse i heqim thonjëzat nga fjalët vizionar dhe historik, shprehja se si do ti pëlqente Baton djalit të shprehej afërsisht 90 vjeçari Rexhep Qosja do të ishte: çdo veprim i Kurtit është i dyshimtë dhe pragmativo-korruptiv.  Tamam shprehi e një hajduti dhe një bythëlëpirësi që kërcënon sapo ligji i afrohet xhepit dhe strofullës të vet! Kemi muaj që e shohim dhe e “shijojmë” këtë lloj gjuhe andej nga “zgëqet“ e Zvicrës, tamam nga një i tillë, një hajdut që thërret kapeni hajdutin e që kërkon kartën e të të “persekutuarit politik” sapo rendi dhe ligji ju futën në portën e mundësisë të “Konfiksimit të Pasurisë“.

E vërteta është se Kryeministri Kurti në Shqipëri e ka humbur deri në një farë mase shumicën e simpatizantëve në krahasim me fillimin e tij plot shpresa, thjeshtë pas disa gabimeve të rëndomta në Tiranë e në Prishtinë. Por nush është ai politikan shqiptar që nuk ka bërë gabime? Asnjë! Rama nuk rri fort larg këtyre gabimeve, edhe pse në raport me Kurtin ai duket pak më “rafinato”. Por këto punë nuk e ngrenë kërkundi kandarin politik të situatave që po kalojmë.

Dhe me të vërtetë, a është zoti Kurti ai që e mendojmë shpesh, dmth ai që thuajse ka ftohur marrëdhëniet me Shqipërinë, apo ai që ka krijuar një konfuzion lidhur me politikën që duhet ndjekur me  ndërkombëtarët, me ata që çliruan dhe i dhanë pamvarësinë Kosovës?

Së pari për cilët ndërkombëtarë e kemi fjalën, për ata që përfaqësuan zotin Klinton e Bler apo për zotin Bajden dhe zotin Rishi Sunak me atë ministren e brendëshme, që i quajti shqiptarët pushtues?! Për cilët? Aq më tepër që tani janë ngatërruar “pak” situatat ndërkombëtare, kur fuqitë e mëdha po i shkelin syrin njera tjetrës fare haptas, nën kërcënimin e hapur të prishjes globale të kufinjve.

Por si pra, si mund të orientohemi tani me këtë lloj shpejtësie që po lëviz bota, kur ne ende vazhdojmë e flemë gjumin e “ëmbël“ të përfitimeve për llogari të ca batakçinjve ekonomikë, të super rrogave të dyta e të treta nën llogarinë e taksave publike, vilave e aktiviteteve klandestine kriminale?!

E pse të mos e dëgjojmë dhe të mbështesim atë që di se çfarë flet, fjala e të cilit ka një jetë të tërë që është sprovuar nën zjarrin e atdhedashurisë, drejtësisë dhe ndershmërisë? Ndryshe cilin të dëgjojmë? Atë që thotë (manipulon, shpif, intrigon) se profesor Rexhepi “mbështetjen ndaj Albin Kurtit e bën mbi premisa gjeografike e nostalgjike… si mbështetje ndaj një Kryeministri nga Malësia e shqiptarëve të Malit të Zi, si një detyrim historik ndaj një bashkëvendasi” (?!)

Por pse ta zgjas më? Dy vija paralele nuk priten. Kjo quhet postulat, një tezë që nuk ka nevojë për vërtetim. Ashtu siç nuk ka nevojë të vërtetohet se nuk mund të ketë forcë që (për faqe të zezë) të përgojojë veprën e profesor Rexhep Qosjes. “E vërteta, thotë urtësia botërore, është gjithnjë e rrezikshme për pushtetin e maskarenjve, të shfrytëzusëve, të grabitësve. Ja sepse e shtypin të vërtetën”.

Nuk do të çuditeshim nëse edhe një nga të paktët pasqyra të së vërtetës që kanë mbetur si profesor Rexhep Qosja, do të fillonin në këtë kohë defiçitesh morale e sufiçitesh amorale, t’i numuronin deri kafshatat e bukës. Pse? Për fat të keq sepse “shqiptarët” kanë qenë përherë armiqtë më të mëdhenj të shqipëtarëve.

Në Shqipëri qysh së gjalli, vepra e tij është kthyer në postulat, ndërsa emri në një shkëmb ku është gdhendur përfundimisht dhe qëndron në majat e kombit, një shkëmb ku nuk mund të ngjiten dot “dijetarët” tanë që na kanë mbirë ekraneve.

Sikur edhe pak gram dije të mernin nga dija e tij, ata do ta kishin kuptuar se: Ai tashmë është kthyer në yllin e mbijetesës dhe bashkimit kombëtar. Larg, sa më larg emrit dhe veprës të tij nga përçarësit, cinikët dhe lëpirësit e jetesës të shëmtuar, të veshur me petkat e kalbura të kësaj pseudo- demokracie!

Pjesë nga shkrimi i Baton Haxhiut me titull: Rexhep Qosja, shkrimtari spekulativ i porosive politike

E lexova një tekst “status” që me siguri ia ka kërkuar Vetëvendosja. Si zakonisht, në të shumtën e herëve Qosja shkruan me porosi dhe përdor fraza që humbin peshën e argumentit, duke u kthyer në një glorifikues të verbër të një pushteti ose fyes me porosi, që ka humbur lidhjen me realitetin.

Në vend që të mbajë distancën kritike që e definon një intelektual, Qosja përqafon një diskurs të mbushur me retorikë boshe dhe të zbrazët nga përmbajtja.

Teksti i tij është një shembull klasik i një narratori spekulativ, i cili ndërton rrëfime mbi thashetheme dhe interpretime të njëanshme, pa asnjë bazë faktike, pa fusnota, dhe pa ndonjë përpjekje për të analizuar realitetin.

Ai nuk shkruan si intelektual, por si një thashethemexhi letrar që shërben më shumë për propagandën sesa për ndërgjegjen e shoqërisë.

Në këtë tekst, Qosja flet për Vetëvendosjen dhe qeverinë e Albin Kurtit sikur të ishte një betejë mes së mirës absolute dhe së keqes së gjithanshme, duke glorifikuar të parën dhe diskredituar opozitën me terma të përgjithshëm si “urrejtje”, “gënjeshtra” dhe “shpifje” .

Këto janë fjalë që tingëllojnë të fuqishme, por në fakt janë të zbrazëta dhe pa lidhje me argumentin.

Një intelektual i përgjegjshëm nuk mund të përdorë këso frazash të vakëta pa i shoqëruar me shembuj dhe analiza konkrete.

Qosja nuk analizon asnjë moment të krizës që ka krijuar qeveria aktuale, nuk përmend tensionet në Veri, përplasjet me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian apo dështimet në menaxhimin e situatave kritike.

Përkundrazi, ai krijon një narrativë mitike ku çdo veprim i Kurtit është “vizionar” dhe “historik”, një qasje që i përket më shumë propagandës sesa mendimit kritik.

Ajo që bie më shumë në sy është mbështetja e Qosjes për Ligjin për Konfiskimin e Pasurisë, një masë e cila është cilësuar si e rrezikshme dhe antikushtetuese nga Gjykata e Venecias dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Qosja, pa asnjë reflektim mbi pasojat e këtij ligji, e paraqet atë si një mjet për të luftuar korrupsionin, duke shmangur faktin se ky ligj përmbys parimet themelore të drejtësisë.

Ligji, siç e kanë theksuar ekspertët ndërkombëtarë, rrezikon të kthehet në një praktikë staliniste, ku pasuritë konfiskohen në mënyrë arbitrare pa prova dhe pa proces të drejtë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT