VIDEO/ Sinodi i Shenjtë mban shërbesën e përshpirtjes për Kryepeshkopin Anastas Janullatos

Këtë të diel, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, pas Liturgjisë Hyjnore, u krye shërbesa e përshpirtjes me rastin e të nëntave të Kryepeshkopit, Anastas Janullatos.

Përshpirtja u drejtua nga anëtarët e Sinodit të Shenjtë, nën kryesimin e Mbikëqyrësit të Fronit Kryepiskopal, Mitropolitit të Korçës, Imzot Joanit, në prani të dhjetëra besimtarëve. Një përshpirtje e dytë u krye në kriptën ku prehet trupi i Hirësisë së Tij Janullatos.

Përshpirtja është një shërbesë e shkurtër kishtare në Kishën Ortodokse, e cila kryhet për prehjen e shpirtit të të ndjerëve. Kjo shërbesë shpreh besimin në Ngjalljen dhe shpresën për jetën e përjetshme, duke i lidhur të gjallët me ata që kanë ndërruar jetë përmes lutjeve dhe mëshirës së Zotit.

Ajo zakonisht kryhet në ditën e tretë, të nëntë, të dyzetë pas ndarjes nga jeta, si dhe në përvjetorët e të ndjerit. Mund të zhvillohet në varreza, mbi varrin e të ndjerit, në kishë apo edhe në shtëpi.

Struktura e shërbesës fillon me bekimin “I bekuar është Perëndia” dhe vazhdon me Himnin Trishenjtor: Shenjt Perëndi, Shenjt i Fuqishëm, Shenjt i Pavdekshëm, mëshirona. Më pas, psalen katër tropare për prehjen e shpirtit të të ndjerit dhe prifti lutet që Zoti ta vendosë shpirtin e të ndjerit në vend të ndritshëm, në vend të blertë, në vend prehjeje dhe paqeje. Shërbesa përmbyllet me përlëshimin përfundimtar dhe të pranishmit këndojnë tri herë “I përjetshëm kujtimi”, si lutje që kujtimi i të ndjerit të mbetet i paharruar në praninë e Zotit.

Kryepeshkopi Anastas Janullatos ndërroi jetë më 25 janar, në orën 07:30 (08:30 me orën greke), në spitalin “Evangelismos” në Greqi ku prej ditësh ndodhej i shtruar dhe luftonte për jetën.

Pavarësisht përkujdesit dhe ndihmës së bluzave të bardha, Hirësia e Tij Janullatos nuk arriti të mbijetonte. Si në Greqi po ashtu dhe në Shqipëri Kryepeshkopi Anastas u përcoll e prit me nderimet më të larta.

Ai u përcoll për në banesën e fundit ditën e enjte. Trupi i tij do të prehet në Kriptën e Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, amanet ky i lënë nga vetë Kryepeshkopi Janullatos i cili dëshironte që pas vdekjes të varrosej në tokën shqiptare.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT