Nëpër Arbërinë arbëreshe

Nga Prof. Nasho Jorgaqi

Nuk e merrnim vesh si po na ikte koha. Takimet e bisedat vinin varg njëra pas tjetrës e njohjet s’kishin të sosur. Nuk lamë gati asnjë katund arbëresh të krahinës së Katanxaros pa shkelur. Shkuam deri në Marceduzë e në Jaxeri. U ramë maleve e grykave kryq e tërthor. Erdhi një çast kur na bëhej se këta njerëz e këto vende i kishim njohur prej kohësh.

Po “Arbërinë e vogël” nuk e përbëjnë vetëm katundet e Katanxaros. Kufijtë e saj janë më të gjerë e shtrihen në disa krahina të jugut italian, sidomos në krahinën e Kozencës. Madje, arbëreshët e kësaj krahine i mbajnë trevat e veta si zemrën e “Arbërisë së vogël”. Prandaj u dukej e çuditshme që ne jo vetëm nuk e hapëm kursin tek ata, po dhe për t’i parë po vonoheshim. Dëgjonim të na thoshin me ton qortues në telefon:

“Si rrini? Rrini mirë? Mos harroni se jemi dhe na këtu e Ju presim. Ju vetëm na thoni e na vijmë e ju marrim Shqiptari një besë ka! Apo jo? Ishte fjala për disa katunde, emrat e të cilëve tanimë janë pjesë e historisë, e kulturës dhe e letërsisë sonë. Me këta ne ishim mësuar që në bankat e shkollës, kishin të bënin me formimin tonë kombëtar. Do të shkonim në vendlindjen e De Radës, të Serembes, të Santorit;  historia arbëreshe gërshetohej me Rilindjen italiane. Në këto katunde lëvizja e sotme arbëreshe ka vatrën kryesore. Këndej punojnë sa e sa veprimtarë arbëreshë, dalin gazeta e revista, bëhen studime, organizohen manifestime kulturore, shkencore e artistike…

Ishim gjithë dëshira e plot e mendime të zgjuara kur u nisëm nga Shënkolli për në këto treva. Kishin ardhur për të na marrë,prof. Italo Fortino me Xhanin, një student të vetin. Na ftonin studentët arbëreshë të Kozencës që kishin qenë në Shqipëri. Binte pak shi dhe nga mjegulla e dendur nuk dukej mirë rruga.

Rruga për në krahinën e Kozencës është e gjatë dhe pak e vështirë. Midis saj dhe ngulimeve arbëreshe të Katanxaros ngrihen malet e njohura të Silës. Gjithë këto vende i takojnë Kalabrisë, po ndërsa të parat hyjnë në Kalabrinë e Sipërme, të dytat në Kalabrinë e Mesme. Në tërësi Kalabria shtrihet ndërmjet detit Jon dhe detit Tirren dhe përbëhet nga male, kodra e terrene të thyera; aty vazhdojnë malet e Apenineve, të cilat quhen dhe Alpet e Kalabrisë, për shkak të madhësisë e të lartësisë së tyre. Këto vende të ashpra ne do t’i shikonim më se një herë dhe, duke i soditur, do të mendonim sërish për historinë e jetën e vëllezërve tanë këtej.

Duket e çuditshme, por’ është e vërtetë që këto male kanë ndikuar shumë që arbëreshët të qëndrojnë të ndarë në shekuj nga njëri-tjetri. Sigurisht, në këtë mes ka dhe arsye të tjera. Edhe pse vëllezër të një gjaku, ata s’e kanë pasur të lehtë të kapërcejnë qafat e grykat e këtyre maleve. Në kushtet kur mungonin rrugët e mjetet, lidhjet ndërarbëreshe në Kalabri kanë qenë shumë të vështira. Vetëm vonë, gjatë Rilindjes sonë kombëtare, kur idetë e saj të ndritura depërtuan dhe në këto malësi, u bënë disa nga patriotët, por prapë ato qenë më tepër simbolike e të rastit. Malet e Silës mbetën të pakapërcyeshme dhe arbëreshët e këtyre dy vatrave në Kalabri pak e njohën njëri- tjetrin dhe munguan lidhjet e rregullta. Në ditët tona, kur rrugët e komunikacionit nuk janë më pengesë, ata kanë filluar të shkojnë e të vijnë, sidomos intelektualët, megjithëse ngadalë dhe me raste. Jeta, me shqetësimet e hallet e përditshme, s’i jep kohë arbëreshit të shkojë të shuajë mallin pesëqindvjeçar me vëllanë përtej maleve të Silës.

Po këto lidhje të dobëta kanë dhe  katundet arbëreshe të Bazilikatës me ato të Kozencës, të cilat i ndajnë në mes malet e Polinit. Nuk po flasim pastaj për kontaktet e kufizuara me vatrat arbëreshe që gjenden në thellësi, si ato të Puljes, Molisës, Kampobasos, Kompanias, Abrucias etj., kurse për lidhje të drejtpërdrejta me arbëreshët e Sicilisë as që mund të bëhet fjalë, kur në mes tyre hyjnë jo vetëm malet, po dhe deti.

Prandaj, po ta njohësh këtë realitet nga afër, të kesh shkelur në këto vende e t’i dish rrethanat historike e shoqërore, nuk ke pse habitesh që bëhet pikërisht Shqipëria, atdheu i parë, vendi ku arbëreshët, të ardhur nga krahina të ndryshme, takohen e njihen, krijojnë lidhje me njëri-tjetrin, të cilat i vijojnë pastaj në Itali për qëllime të përbashkëta.

Rreth këtyre problemeve bisedonim me Italon e Xhanin gjatë udhëtimit atë ditë me shi, ndërsa makina rrugëtonte nëpër grykat e qafat e maleve të Silës.

Vështroja nga dritarja e makinës këto male dhe mendja më shkonte te arbëreshët. Edhe këto male në njëfarë mënyre lidhen me ta. M’u kujtua libri «Të njëmijtët» i shkrimtarit, të cilët luftonin kundër Burbonëve këtyre anëve dhe përmend me adhurim një arbëresh. Më pëlqen t’ia jap lexuesit fjalë për fjalë atë që shkruan ai:

“Më 1844 patriotët kalabrezë kishin vendosur të hidheshin në kryengritje. U mblodhën një natë në pyjet e Silës… gjithsej një mijë veta… U vendos që të sulmonin Kozencën… t’i bënin thirrje gjithë Italisë të rrëmbente armët, të krijonin një qeveri të përkohshme. Betimet e të përbetuarve i mblodhi një grua e re,  me një bukuri të jashtëzakonshme, vejushë… në moshë të re, zonjë një kështjelle në Sila. Në këtë kështjellë pas mbledhjes u grumbulluan krerët e të përbetuarve nën kryesinë e shqiptarit

Kamadeka, një figurë homerike… (Më Vonë, pas kryengritjes, Kamadekën e burgosën dhe e dënuan me vdekje). Kamadeka flinte kur i njoftuan dënimin me vdekje, dëgjoi pa lëvizur asnjë qerpik, si heronjtë e lashtësisë».

Duke lënë prapa krahinën e Katanxaros, jemi ngjitur për në veri dhe kemi hyrë në Kalabrinë e Sipërme. Po u afrohemi katundeve të Kozencës. Harta që mbajmë përpara, vetëm na orienton, sepse sytë ndeshën në pamje të tjera nga  ç’kemi përfytyruar.

Makina fillon të zbresë tatëpjetë maleve të Silës dhe relievi tani sa vjen e zbutet. Malet ua lënë shpejt vendin kodrave dhe zonave të buta. Para nesh duket Kozenca, kryeqendra e krahinës dhe e gjithë Kalabrisë. Katundet arbëreshe shtrihen në veri të saj dhe në pjesën më të madhe ngrihen në të dyja anët e lumit Krati. Rruga për tek ato gjarpëron nëpër një luginë të bukur e mjaft piktoreske. Para syve tanë hapet një peizazh i butë, me kodra, me shpate e bregore të këndshme, me livadhe e lirishte plot ngjyra. Menjëherë e ndiejmë se këtej ka shpërthyer pranvera. Fryn një erë e ëmbël mesdhetare, kanë çelur lulet dhe blerimi i përhershëm i ullinjve, i portokalleve e i limonave mbulon tokat  në të gjitha krahët. Na duket sikur po udhëtojmë diku në rrethinat e Vlorës a të Delvinës.

Fillojnë të shfaqen nga larg katundet e para arbëreshe, që vijnë njëri ps tjetrit, në shpatet e kodrat më të djathtë të lumit Krati, Shën Sofia, Shën Mitri, Maqi e më tutje Mbusati, Strigari Vakarico…Ata janë pranë, me një konfiguracion pak a shumë të ngjashëm. Lart është katundi me shtëpi të rrethuara nga kopshte, ndërsa shpateve ose poshtë në fushë gjenden vreshtat e ullishtat.

Në anën e majtë të Kratit janë Plataçi, Çifti, Kastrorexho, Frasnita, Ejanina, Shën-Vasili, Firma, Ungro, Firmoza. Më në ‘ thellësi, në mes maleve Apenine janë Shën-Katerina, Çerçeto, Shën-Mërtiri, Cervikati, Shën-Benedikti.

Janë 24 katunde me më shume se 100 000 banorë që zënë rreth 6 për qind të popullsisë së Kalabrisë.

Në asnjë krahinë të Italisë arbëreshët nuk janë aq të përqendruar dhe të afruar, me një histori të përbashkët e të pasur sa këtu.

Në këto vende ku arrijmë atë mbrëmje prilli, do të qëndrojmë disa ditë. Natën e parë e kalojmë në Kozencë e pastaj marrim rrugën për më tej.

Historia arbëreshe në viset e Kozencës na çon në kohën Skënderbeut, në vitet fill pas vdekjes së tij, kur, siç thotë një rapsodi e vjetër shqiptare, «treqind mijë trima ikën. Çanë detin” dhe zbritën, në brigjet e Kalabrisë. Erdhën këtu me anijet e tyre, po një pjesë dhe me anije veneciane, napolitane e raguziane. Për dhjetë vjet (1468-1478) me radhë nuk reshtën valët e refugjatëve arbëresh. Sapo shkelnin, i shpërndanin në thellësi të vendit. Tokat pjellore të Sibarit vetëm sa i shikonin me sy, ata i prisnin toka shterpe e vende të egra thellë maleve. Nëpër to u ngritën ngulime të reja ose u përtërinë fshatra të braktisura. Çdo gjë duhej nisur nga e para.

Në fillim pandehën se qëndrimi në dhe të huaj do të ishte i përkohshëm. Por koha dalëngadalë do të bënte të vetën. Ashtu si vëllezërit e tyre në krahinat e tjera të Italisë së Jugut, dhe këta ç’nuk bënë për të mbijetuar. Por, duke qenë më të shumtë në numër dhe më pranë njëri-tjetrit, bashkësia arbëreshe këtej do të organizonte një qëndresë më të fortë. Nga një anë do të ishin virtytet dhe burrëria, kultura e jetës dhe e punës që kishin sjellë me vete dhe nga ana tjetër lufta e përditshme dhe e shumanshme me opinionin armiqësor të baronëve e të vendësve të prapambetur. Prej kësaj kohe të hershme ka ardhur si legjendë një zakon, që ka të bëjë me kambanat. Të mërguarit, veç të tjerash, kishin sjellë me vete dhe këmbanat e kishave, që i përdornin jo vetëm si mjete për ritet fetare, po dhe si mjete lufte. Sepse ç’ndodhte? Edhe në dhe të huaj, ata i ngritën këmbanat dhe u binin fort, shumë fort, në mënyrë që kumbimin e tyre gjëmimtar ta dëgjonin jo aq vendasit e gadishullit, po jehona e kambanave të ndihej deri larg, përtej detit! Ta dëgjonin osmanët e ta dinin se arbëreshët ishin gjallë dhe një ditë do të shiheshin rishtas në luftë.

Po me kohë gjëmimi i fuqishëm i këmbanave mbeti si një mënyrë për t’u kujtuar herë pas here vendasve se arbëreshët ishin të huaj aty e për më tepër qenë të ndryshëm, me gjuhën e zakonet e veta.

Në këtë vatër, siç do të na tregonin më pas, nuk u shua kurrë zjarri arbëresh. As errësira mesjetare, as dhuna feudale, as “klima” e huaj s’e prekën dot shpirtin e paepur të këtyre njerëzve trima e krenarë. Mbreti i Napolit, princat e baronët gjithnjë do t’ua kishin frikën e s’do t’u besonin asnjëherë. Arberëshët, si kudo dhe në këtë trevë, do të tregonin një ndërgjegje të lartë etnike. Duke e mbajtur të gjallë vegimin e atdheut, kujtimin e zulmeve të një kohe heroike, duke ruajtur e kultivuar zakonet e kulturën e tyre të jetesës, duke përdorur fjalët e një gjuhe plot magji, siç është gjuha e mëmës, të mbështetur fort te njëri-tjetri, ata krijuan një realitet, shpirtëror që u bë barriera e parë për t’u mbrojtur nga rreziqet e asgjësimit. Kështu, pa u ndihmuar e pa u përkrahur nga askush, me një forcë përtëritëse të brendshme, arbëreshët e krahinës së Kozencës qëndruan e s’u dhanë asnjëherë.

Dhe s’kemi pse të çuditemi që tërë energjitë, të ndrydhura në shekuj brenda vetes e katundit, do të shpërthenin me një forcë e bukuri të pashoqe kur do t’i thërriste zëri i lirisë.

S’është e rastit që këto vise, që i takonin mbretërisë së Napolit, gjatë rilindjes Italiane do të ktheheshin në çerdhe luftëtarësh, në jatakë për armiqtë e tiranisë. Mund të kesh lexuar në libra, por, kur dëgjon rrëfimet e vetë arbëreshëve mëson se këto vende kanë qenë arenë e Italisë kryengritese. Lëvizja e karbonarëve kishte një nga strehët më të sigurta në këto katunde. Luftëtarët republikanë që ndesheshin nëpër barrikadat e rrugëve të Napolit, vinin këtej pastaj dhe i ruante e i mbante populli arbëresh.

Idetë e lirisë që do të hidhnin dritë mbi Italinë, disa ngado t’i ndiznin këtu. Prej këtyre anëve dolën luftëtarë e mendimtarë të shquar të epopesë së çlirimit. Disa nga këta pionierë ishin arbëreshë. Prekesh kur s’ka katund arbëresh në krahinën e Kozencës që në një mënyrë a në një tjetër të mos përmendet në kronikën e luftës për lirinë e bashkimin e Italisë.

Lexon këtë kronikë lirike dhe në çdo faqe të dalin emrat e arbëreshëve e thonë vetë historianët italianë. Dhe një mësues nga Vakarica do të na lexonte këto fjalë të Oresto Ditos:

“Më tepër se në provincat e Rexhios e të Katanxaros në provincën e Kozencës ndizej lëvizja liridashëse, veçanërisht për hir të veprimtarisë së arbëreshëve… Madhështorë janë këta bij të Shqipërisë për mendjen e hollë. Në mes plebejve kalabrezë të uritur, të rrëzuar, supersticiozë që i rrethojnë ose në mes pasanikëve të plogësht, të majmur nga qejfet arbëreshët përfaqësojnë elementin më të zgjuar në Kalabri”.

Duke e ditur se ç’vend nderi zinin arbëreshët e krahinës së Kozencës në historinë e Kalabrisë, tani që gjendemi këtu shohim me sytë tanë teatrin e ngjarjeve, të zhvilluara një shekull e ca më parë. Shohin vendet historike, lapidarët, pllakat përkujtimore, shtëpitë e heronjve, sheshet e betejave. Dëgjojmë rrëfimet e pleqve dhe kuptojmë se historia këtu është e gjallë, se arbëreshi nuk harron e di se ç’mban mend, ai e njeh peshën e vetes në atdheun e dytë. Asgjë s’kërkon t’ia falin dhe do që të jetë i barabartë në mes të barabartëve. Vëmë re se veçanërisht pleqve u pëlqen të flasin për traditat, të kujtojnë historinë, të përmendin njerëz e ngjarje. Të bën përshtypje që në fjalët e arsyetimet e tyre nuk ndien vetëmburrje e aq. më tepër mëri e shovinizëm ndaj vendasve, përkundrazi, ata kanë qenë e janë shokë e bashkë luftëtarë me popullin italian kundër padrejtësive për çështjen e lirisë.

– Le të kthehemi prapë te Rilindja italiane. Në rastin tone kjo nuk është aq pikë referimi sesa një kohë e lavdishme, kur u afruan dhe u njohën sa asnjëherë arbëreshët me italianët e kur arbëreshët pas disa shekujsh, që u detyruan të qëndronin në mjegull, u rishfaqën para botës dhe fituan admirimin e opinionit italian. Kështu, historia arbëreshe hyri në historinë e Italisë dhe historia e këtij vendi u trazua me historinë arbëreshe. Lëvizjet e mëdha italiane te kohës u gërshetuan me jetën dhe traditat e kësaj bashkësie trime e krenare. Luftërat e karbonarëve, të maxinianëve e sidomos të garibaldinëve gjetën te arbëreshët partizanë e luftëtarë besnikë e të devotshëm. Këtë e dëshmojnë më mirë katundet arbëreshe të trevës së Kozencës.

Mjafton të shfletosh historinë, kronikën e ngjarjeve nga fillimi i luftës deri në Italinë e lirë e të bashkuar. Askush nuk habitet që në kryengritjet e 1799-s, të cilat përmbysën për herë të parë monarkinë Burbone dhe shpallën republikën, u zgjodhën dhe arbëreshët Paskuale Bafa dhe Xhuzepe Albanezi. Ky ishte vetëm prologu i ngjarjeve të mëdha që do të tronditinin Italinë. Sepse pas kësaj ngjarjeje do të niste procesi madhështor i zgjimit të kombit italian. Do të vinte lëvizja e karbonarëve me zigzaget e veta plot vetëmohim e dhembje. Arbëreshët do të qenë nga të parët që do ti jepnin kësaj lëvizje të feshhtë luftëtarë e do të bënin sakrifica të panumërta. Pak më vonë do të dilte në skenë Maxini. Kronikat e kohës janë plot me emra arbërshesh trima që i shkuan pas. Në mes tyre që organizuan e udhëhoqën kryengritjet antiburbone ne Napoli e Kozencë në vitet 1837, 1840, 1848 është dhe pelajda e intelektualëve revolucionarë arëbershë.

Ata ishin pikërisht nga këto fshatra, nga Shën-Mitri e Vakarico, nga Shën-Benedikti e Kastrorexho, po mbi të gjithë Mauro, që mbahet nga frymëzuesit kryekombëtar në mbarë Italinë e flet historia, ai e luajti jo vetëm me guximin prej luani e me virtytet e një burri arbëresh, po dhe me vlerat intelektuale si poet e prozator, si studiues e gazetar i çmuar.

Kulmin e tyre në këto anë ngjarjet heroike të viteve 40-të e arritën në Revolucionin e vitit 1848, kur nga të gjitha katundet arbëreshë të Kozencës u hodhën në luftë e bënë emër si ushtarë trima e komandantë të zotë dhjetëra e qindra bij arbëreshë.

Betejat më të mëdha e më të përgjakshme janë të lidhura dhe me guximin e me gjakun arbëresh. S’mund të kuptohen epopeja e Kampotenezës apo ajo e Spixanës, pa komandantët e lavdishëm arbëreshë, si D. Darnisi, N. Tarsia, P. Iriani e F. Triflio, P. Beliçi e M. Rafaelo, K. Belici e V. Luci, V. Stratigoi e Xh. Plaku. Këta janë nga Lungro e Çifti, nga Shën-Mitri e Kastrovilari.

Në shtëpitë e këtyre katundeve jemi duke bujtur gjithë këto ditë.

Ishin këto luftëra heroike në Napoli e në Kozencë, në viset e Kalabrisë, që i hapën rrugën Xh. Garibaldit. Jo më kot ai do të thoshte më vonë, duke bërë bilancin e fushatës së tij famëmadhe: «Marshimi për në Kalabri është një triumf i vërtetë i shkëlqyer në mes popullsisë luftarake, një pjesë e së cilës kishin marrë me kohë armët kundër shfrytëzuesve burbonë».

Kjo lëvdatë u takonte dhe arbëreshëve, të cilët e pritën Garibaldin si hero të tyre, që u kujtonte Skënderbeun, dhe i shkuan menjëherë pas plot entuziazëm. Garibaldi do t’i njihte e do t’i provonte ata si njerëz trima e besnikë, të vendosur e të paepur për çështjen e lirisë. Prandaj, sapo riorganizoi qeverinë në Napoli, ai zgjodhi menjëherë tre arbëreshë. A nuk ishin arbëreshët nga të parët që e ndoqën heroin që nga Marsala në fushatën luftarake të Sicilisë? Vëllezërit e këtyre ai i gjeti në Kalabri. Vetëm nga një katund si Lungroja shkuan për të çliruar Napolin 500 luftëtarë!

Heroizmi i tyre shkëlqeu në betejën e Volturanos (tetor 1860). Të nesërmen e kësaj epopeje Garibaldi do të thoshte fjalët e famshme me të cilat lavdëronte shqiptarët të dalluar në luftën kundër tiranisë.

Besimi dhe mirënjohja e tij ishin edhe të popullit italian ndaj kësaj bashkësie liridashëse e luftarake. Vetëm borgjezia dhe aristokracia monarkiste, ashtu siç i shpërdori frytet e fitores popullit italian, i mori nëpër këmbë dhe ato të arbëreshëve.

Kjo është arsyeja e zhgënjimit të hidhur që pësuan arbëreshët demokratë pas krijimit të Italisë. Prandaj ata mbajtën qëndrim opozitar, anuan nga prurjet e përparuara politike e shoqërore, iu kundërvunë synimeve imperialiste të borgjezisë italiane ndaj atdheut të stërgjyshërve. Këtë e bënë De Rada, Dorsa, Stratigoi, Draxnisi e të tjerë.

Arbëreshi dhe në këtë rast do të dinte të tregonte se kush ishte. Ai do të mbetej si gjithnjë njeri me karakter te pavarur, dinjitoz, i pakorruptueshëm.

Na treguan se një studiues, duke u marrë me hulumtimin e studimin e procesverbaleve të Asamblesë Kombëtare të pas bashkimit të saj, i tërhoqi vëmendjen fakti se nëpër to kishte plotë faqe të bardha që nuk ishin shkruar nga sekretarët.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT