“Pija ujë, jo raki” – Parashqevi Simaku rrëfehet për herë të parë pas trajtimit në spitalin psikiatrik

Pas një periudhe të vështirë, këngëtarja e njohur Parashqevi Simaku ka dhënë një intervistë ekskluzive për Top Channel, ku tregon për përvojën e saj gjatë trajtimit në një spital psikiatrik në Nju Jork.
Në gjendje tejet të mirë shpirtërore dhe fizike, këngëtarja, shfaqet e transformuar dhe jep lajmin e mirë se pas 4 javësh kurim të gjitha analizat i kanë dalë mirë.
“Unë bëra një pushim absolut. Përditë bëja fiskulturë dhe pija ujë, jo raki (qesh). Jam në një gjendje shpirtërore mjaft të mirë. Më dolën shumë mirë të gjitha analizat”, tha ajo.
“Dhuratë engjëllore” e quajti Parashqevia kurimin 4-javor, ndërsa zgjodhi fjalët goditëse të Aristotelit për të shprehur mirënjohjen për Elton Ilirjanin, për të gjithë ndihmën.
“Më vjen ndërmend një thënie madhështore e Aristotelit të famshëm, siç e themi ne në Kavajë troç, ‘Më mirë të kesh një mik, siç kam unë Elton ilirjanin, se sa të kesh një çiflig’. E falënderoj nga zemra personalisht atë dhe nënën e tij”, shtoi artistja e mirënjohur.
Këngëtarja zbuloi se në spital i ka shërbyer edhe një vajzë shqiptare, ndërsa nuk përjashtoi dhe një udhëtim në Tiranë.
“Falënderoj një vajzë shqiptare shumë të talentuar, e cila më bëri si një zonjë grua sot. Shpresoj Zoti na e bën kismet që të vijmë në Tiranë, të bëjmë një natë alla-shqiptarçe”, u shpreh Simaku.
Artistja e njohur shqiptare u shtrua në një spital të Nju Jorkut, për shkak të situatës së rënduar psikologjike, pas videos së bujshme që tronditi shqiptarët në mbarë botën, ku ajo shfaqej në gjendje të mjeruar në një stacion treni në Nju Jork.
Pas ndihmës së dhënë nga biznesmeni Elton Ilirjani, jeta e këngëtares Parashqevi Simaku ka marrë kthesën e fortë, duke iu rikthyer normalitetit.