Holanda ndërron mendje, Blok: Mbështesim Shqipërinë për negociatat

Pas refuzimit të çeljes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Holanda deklaron se do të mbështetë përpjekjet e Tiranës.
Ministri i Jashtëm Stef Blok është shprehur se vendi i tij është dakord që Keshilli Europian t’i rikthehet çështjes së negociatave për dy vendet e Ballkanit përpara samitit te Zagrebit.
“Vendi im përshëndeti përparimin e bërë në të dy vendet si në Shqipëri ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut. Sidoqoftë, përpara fillimit të negociatave të pranimit, Shqipëria duhet të tregojë rezultate të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Këshilli Evropian do të kthehet në temën e negociatave të pranimit përpara Samitit të Ballkanit Perëndimor në maj të vitit 2020. Ne do të mbështesim Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në punën e tyre për të ardhmen në BE.
Periudha e ardhshme mund të përdoret për të reformuar më tej sundimin e ligjit. Të dy qeveritë njoftuan se do të vazhdojnë me këto reforma. Ne jemi të gatshëm t’i ndihmojmë ata”, tha Blok.
I pyetur nëse ngadalësimi i procesit të zgjerimit po krijon hapësirë për depertimin e e aktorëve te tjerë si Rusia, Kina dhe Turqia në Ballkanin Perëndimor, kryediplomati holandez thotë se nuk ekziston një rrezik i tillë.
“Nuk besoj se kjo do ta drejtojë rajonin drejt faktorëve të tjerë të jashtëm. Vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten të përkushtuar ndaj perspektivës evropiane. Për më tepër, BE-ja mbetet deri tani partneri më i madh tregtar, investitori i huaj dhe partneri i bashkëpunimit në rajon. Sigurisht, vendet e Ballkanit Perëndimor janë të lirë të marrin vendime sovrane në lidhje me marrëdhëniet e tyre me vendet e treta ose organizatat ndërkombëtare”, shtoi ai.
Sa i takon dialogut dhe arritjes së marrëveshjes mes Prishtinës dhe Beogradit, ministri i Jashtem I Holandes nenvizion se ashtu si Uashingtoni, edhe Brukseli e ka prioritet këtë çështje.
Kjo pasi njohja reciproke mes Serbisë dhe Kosovës i shërben stabilitetit të rajonit.