“Berisha nuk largohet vetë, duhet mundur”, Meçe: Primaret e PD në dorën e kasapit Noka!

Gazetarja e Report Tv, Danjela Maloku, bëri një panoramë të detajuar të situatës më të fundit për atë që po ndodh me garën e Primareve.
“Berisha nuk mund të largohet vetë, ai duhet të mundet. Sepse është budallik të thuash do largohet, ai nuk ikën vetë, normale në demokraci, duhet mundur. Siç thotë edhe Edi Rama, hajde më mundni. Ajo e vitit 2021 ishte marrëzi kolektive, Basha thoshte kështu, mirë ata, po ju çfarë bënit (i drejtohet Dhulit). Unë jam partizan i Primareve. Berisha ka gjetur Damianin e vetë, Albanën. Kur kandidova me Berishën m’i dhanë me kërkim një më një, jo me lista. Primaret kanë rëndësi për debatin e brendshëm dhe shfaqin personin, formimin e tij. Po të shohësh listat dhe emrat të vjen turp t’i shohësh. Metodikën e zbuloi Lulzim Basha, që listat i kontrollonte në qendër. Këta nuk i hapën listat, por i shqyen. Ata që do kandidojnë nuk e dinë anëtarësinë që kanë, sepse s’dalin listat e anëtarësisë. Berisha e bëri në atë mënyrë Primaret dhe listat që të përfshijë Gazment Bardhin”, tha Ibsen Elezi, ish-drejtues i PD Kukës.
Kurse ish-deputeti demokrat Arben Meçe u shpreh se Primaret e PD në fund do rezultojnë të kota, sepse Berisha nuk ka shpallur ende vendet për aleatët e tij. Teksa theksoi edhe faktin se pas votimit të kandidatëve, emrat shkojnë te “kasapi” Flamur Noka, Sekretari i Përgjithshëm i PD.
“Për mua është proces normal, pasi të zgjidhen këta 300 emra, do shkojnë te kasapi Flamur Noka, ku thuhet çfarë ke bërë, je apo s’je, kontributi politik. Përveç Gazment Bardhit nuk gjej të tjerë, se janë qendrestarët e Berishës. Primarja kërkon patjetër ekspozimin e listave se kush do votojë, është e detyrueshme. Po të shohësh më parë, kanë votuar anëtarë dhe simpatizantë, madje edhe të LSI-së. Në 2019 kanë votuar edhe simpatizantët. Ajo parti çdo vit ndryshon strukturat drejtuese. Partitë nuk duhet t’i ndryshojnë elitat. Para primareve, PD duhet të shpallë edhe aleancat, sa do jenë vendet për aleatët, duhet t’i shpallë që tani. Se ka aleatët, Ilir Metën që ka 4 deputetë dhe i do, Nard Ndoka që ka 2 vende dhe i do. Kur bën llogarinë në fund të del se Primaret bëhen kot”, u shpreh ai.
Juristi pranë PD, Skerdi Dhuli ndau mendim tjetër, duke u shprehur se ajo parti e ndryshon çdo zgjedhje shumicën e grupit parlamentar, pasi e ka si traditë.
“PD ka një traditë që shumicën e grupit parlamentar të PD i ndërron çdo zgjedhje. Kjo ka ndodhur edhe më 2021, edhe më 2017. Nuk është hera e parë që PD po rigjeneron grupin e deputetëve. Berisha grupin parlamentar mund ta ribënte edhe me listë direkte. Në 2021 ishte marrëzi e Lulzim Bashës. Jam dakord me atë që ka propozuar zoti Myslim Murrizi për këtë proces. Ky sistem nuk të favorizon, për Vlorën psh., pasi të 4 deputetët janë në listën e mbyllur”, shpjegoi ai.
Ndërsa juristi Redi Varaku theksoi se listat nuk kanë shumë rëndësi për procesin, sepse vijnë nga 4 vite luftë të brendshme.
“Po ndodh ajo që ka ndodhur gjithmonë në Partinë Demokratike. Ka negociata nëpër zona, Primaret do jenë procesi formal. Përveç votës në Primare ka edhe disa kritere të tjera. Edhe 2013 u bë kjo dhe dolën kandidatë që nuk kishin qenë kurrë në lista. PD do i nënshtrohet një realiteti që nuk e ka prekur për 4 vite, pasi ka qenë në luftë të brendshme. Procesi është i nevojshëm, por ka probleme. PD fillon me Berishën dhe mbaron me Berishën, ashtu sikurse PS nis me Ramën e mbaron me Ramën. Por me një ndryshim, se nuk do ketë ankesa në PD, sepse kjo është autoriteti i Berishës”, nënvizoi ai.