Ditët e lavdisë dhe kthesës historike: Dëshmia e Besarta Jasharit

Të mërkurën e 5 marsit shënohet 27-vjetori i njërës nga ngjarjet më të dhimbshme dhe simbolike të historisë së Kosovës, Masakra ndaj Familjes Jashari në Prekaz. Në marsin e vitit 1998, forcat serbe ndërmorën sulmin ndaj familjes së komandantit Adem Jashari, duke shkaktuar vdekjen e mbi 50-të anëtarëve të familjes së tij, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar. Vetëm një vajzë 11-vjeçare, Besarta Jashari, mbijetoi për të dëshmuar atë që ndodhi.
Në atë kohë, kjo tragjedi tronditi opinionin ndërkombëtar dhe u raportua gjerësisht nga media të huaja. Rrëfimi i parë pas masakrës është ai i gazetares amerikane Marie Colvin, e cila, në një shkrim të publikuar në Sunday Times, solli dëshminë e vetme të së mbijetuarës, Besarta Jashari.
Ky është shkrimi i plotë i gazetares Marie Colvin, botuar në Sunday Times në vitin 1998, për masakrën ndaj familjes Jashari:
Njëmbëdhjetë vjeçarja Besarta Jashari mban mend kur u ndërpre bombardimi i shtëpisë së saj. Me orë të tëra, zhurma ishte e padurueshme. Përderisa ishte strukur nën sofrën ku nëna e saj gatuante bukë, tavani u rrënua dhe muret dukej se po eksplodonin. Tani qetësia shqetësonte. E ngulfatur nga tymi dhe pluhuri, ajo thërriste nënën.
Derisa po hiqej zvarrë nëpër gërmadha duke qarë, i gjeti motrat e saja, Lirien, 10 vjeçe, Fatimen 8 vjeçe dhe Blerinën shtatë vjeçe. U mundua t’i zgjonte, derisa e kuptoi se ishin të vdekura, u mbulua me gjak.
Pastaj Besarta i pa vëllezërit e saj: Selvetin, 20 vjeç, Safetin, 17 vjeç, Besimin, 14 vjeç dhe Blerimin 12 vjeç. Ata gjithmonë dukeshin të fortë, Tani, të gjithë ishin të vdekur.
Më në fund, ajo e pa nënën, Feriden, flokët e zeza të ndritshme dhe zërin e ëmbël të së cilës Besarta e mbante në zemër – të shtrirë me gjymtyrë të shpërndarë në skaje të ndryshme. Ajo kurrë më nuk t’i përgjigjet thirrjes “nënë” që ia bënte vajza e saj.
Pushimi i granatimit u tregua të jetë shumë i shkurtër. Besarta do të kalonte natën dhe ditën tjetër, e vetmuar, me familjen e saj të vdekur përreth saj, përderisa bombat e serbëve po hidheshin sërish, duke goditur ndërtesën e bardhë me kulm të kuq që dikur kishte qenë shtëpia e saj.
Nxënëse e zgjuar dhe e lumtur, Besarta është e vetmja që ka mbijetuar sulmin i cili tani nuk mund të quhet asgjë tjetër pos masakër e paramenduar dhe e kryer me gjakftohtësi.
Shtëpia në Prekaz, fshati me reliev pastoral të fushave të punuara me kujdes dhe kodrat që lehtë mund të ndërroheshin me ato të Somersetit, ka strehuar 22 anëtarë të familjeve të të dy vëllezërve, Hamëz Jashari, babai i Besartës, dhe Adem Jashari, xhaxhai i saj.
Vdekjet e tyre nuk ishin aksident i luftës. I bëra bashkë copëzat e tmerrit të javës së kaluar nga dëshmia e Besartës – e cila tani fshihet në një familje në afërsi të Skenderajt – që ajo ua rrëfeu të afërmëve që ia dolën të ikin nga shtëpitë tjera në Prekaz. I kam parë gropat e zbrazëta në kulmet dhe muret e tri shtëpive të Jasharajve – njëra e gjyshërve të Besartës dhe nga një për Hamzën dhe Ademin – dhe njollat e errëta të lëna në mur nga të shtënat e automatikut.
Në oborrin me baltë qëndronin shenjat e jetës shtëpiake: Një çantë sportive e shqyer e djaloshit të vogël, kartolina nga të afërmit në Gjermani dhe një antenë satelitore e lakuar nga plumbat. Pjesët e raketave shiheshin të shpërndara në rrënime.
Është pothuaj e sigurt se vëllezërit Jashari kanë qenë të lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), forcë militante që doli në pah gjatë nëntorit të kaluar e që i përkushtohet luftës për qëllimet e shqiptarëve etnikë që përbëjnë 90 për qind të popullatës së Kosovës.
Ata humbën durimin me rrjedhën pasive të politikës së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Lidhja qëndron pas rezistencës pasive përkundër-taktikës së dhunshme të Sllobodan Millosheviçit, kryetar nacionalist serb i Jugosllavisë, i cili ka hequr statusin autonom të krahinës dhe i ka përjashtuar shqiptarët nga të gjithë punët shtetërore.
Megjithatë, kjo nuk ishte vrasje e të dyshuarve për terrorizëm e as pusi e personave të rrezikshëm jashtë ligjit. Ishte sulm ushtarak pa paralajmërim mbi shtëpitë e tri familjeve: mbi burra, gra dhe fëmijë që po flinin në shtretërit e tyre.
Serbët bombarduan pronën e Jasharajve deri në çastin kur ata menduan se të gjithë kishin vdekur. Në formacion ushtarak, ata kanë hyrë brenda, vetëm për t’u siguruar.
Ndoshta ishin ngopur me vrasje kur e gjetën Besartën. Ndoshta kanë menduar se është tepër e re për t’i akuzuar. Apo ndoshta nuk kanë mundur ta shikojnë në sy një vajzë të tmerruar dhe ta vrasin. Por, ajo është arsyeja që e vërteta mund të dihet.
Dje, e tërë ajo që lëvizte në pronën e Jasharajve ishin dy lopë dhe disa pula që po çokasnin nëpër gërmadhat. Në anën tjetër të rrugës së pluhurosur që kalon pranë pronës së Jasharajve ishin 51 varre të freskëta të mbuluara me dhe të zi, mbi të cilat ishin vendosur dërrasat. Këto ishin vendpushimet e fundit të 22 Jasharajve që vdiqën në shtëpi, katër kushërinjve të vrarë në afërsi dhe të fqinjëve që u dolën në rrugë forcave serbe.
Operacioni ndaj Kosovës – përkatësisht sulmi në luginat e Drenicë, rajon i fshatrave me tokë të pëlleshme që është vatër e rezistencës shqiptare – filloi më 28 shkurt, një ditë pasi që katër policë serbë u vranë në një pusi përderisa ndiqnin guerilët e UÇK-së. Serbët së pari sulmuan fshatin Likoshan, duke i vrarë 24 shqiptarë. Pastaj, u bënë gati të sulmojnë Prekazin ku Jasharajt ishin familja kryesore.
Jetish Durmishi, shofer autobusi, u paralajmërua për rrezik kur një shok i telefonoi nga shtëpia e tij në afërsi të stacionit të policisë në Mitrovicë duke i thënë se një konvoj autobusësh përplot policë serbë ishte nisur në drejtim të Prekazit.
Durimishi u strehua në mal. Duke e lënë familjen e tij prapa; në të kaluarën serbët i kanë vënë në shënjestër vetëm meshkujt. Ai nga mali pa se çfarë ndodhi në pronën e Jasharajve.
“Brenda pak minutash, policia erdhi dhe fshati u rrethua nga kordoni i serbëve. Ata qëndronin pak metra larg njëri-tjetrit përgjatë tërë rrugës e deri në brigje”.
Nga baza serbe u hap zjarri në orën 6 të mëngjesit. Nuk pati paralajmërim. Të parët që u vranë ishin Agajt, anëtarët e familjes rome të cilët i kaploi paniku dhe u munduan ta braktisin shtëpinë. Nëna, djali i vogël dhe vajza u ekzekutuan në kopshtin e tyre. Viktima e ardhshme ishte Nazmi Jasharaj, pronar i një kiosku në Prekaz, që shiste cigare dhe gjësende të tjera, e që jetonte në anën tjetër të pronës së familjes kryesore.
Ai u mundua ta bartë nënën e moshuar, Nailen, nga dera e prapme dhe është vrarë para syve të saj. Sinjali ishte i qartë. Çdokush që vërehej duke lëshuar shtëpinë do të goditej nga snajperistët serbë. Jasharajt nuk kishin shpëtim. Ata po të dilnin jashtë përballeshin me të shtëna, po të rrinin brenda, bombardoheshin. Gjëja e fundit që mbanë mend Besarta, sa i përket familjes së saj, ishte se xhaxhai i saj, Ademi, derisa bombardimi vazhdonte, këndonte këngë popullore shqiptare për t’i inkurajuar të tjerët. Ai shpeshherë këndonte në dasma lokale. Familja e gjerë Jasharaj u mblodh në dhomën për të cilën menduan se është më e sigurt. Mirëpo, granatat hidheshin në kulm e pastaj në mure.
Besarta mban mënd çastin kur xhaxhai i saj pushoi së kënduari. Pastaj, 26 orë më vonë, i kujtohet asaj, vetëm zhurma e bombave, Ajo tha se para se policia serbe të hyjë në shtëpi, ata marshuan nëpër të, duke hapur zjarr nga automatikët. Ata hidhnin granata në secilën dhomë që e kishin përpara.
“Dëgjova të vinin në dhomën tonë”, i tha ajo xhaxhait të saj Hilmiut.”U mundova të bëhesha kinse kisha vdekur, por njëri prej ushtarëve ma vuri dorën në gjoks dhe e ndiu se isha gjallë”.
Ende e veshur me bluzën e saj të kuqe dhe pantallonat e zinj, tashmë të mbuluar me gjak, ajo u detyrua të shkelë mbi trupat e anëtarëve të familjes së saj që ta lëshojë dhomën, të rrethuar me serbë. U dërgua në bazën ushtarake përmbi shtëpinë e saj dhe u mor në pyetje për tri orë.
“Ata më pyetën për babain dhe axhën Adem. Asgjë nuk iu tregova, asgjë.”
Serbët e hodhën në një rrugë të Mitrovicës dhe ajo vrapoi në shtëpinë e një shoqeje të klasës. Ajo mbrëmë ende ishte atje, e traumatizuar, e tronditur dhe e kishte të vështirë të flas. Besarta nuk e dinte se kufomat e nënës, babait, axhës, hallës dhe kushërinjve të saj ishin rreshtuar nga policia në një depo materiali ndërtimor në Skenderaj.
Kur askush prej familjes nuk erdhi t’i identifikojë ata dhe miqtë insistuan që atyre t’iu bëhet ekzaminimi postmortor, serbët i hodhën ata në varret që i kishin hapur përballë mbeturinave të shtëpisë së tyre, në arkivolet gjysmë të mbuluar.
Fshatarët që mbijetuan u kthyen gjatë natës që punën ta kryenin me nder. E tëra që mbeti nga familja e Besartës ishte një grumbull qesesh të zeza në depon e materialit ndërtimor, çdonjëra me një numër të ngjitur në qese, çdonjëra e mbushur me rroba të përgjakura të cilat i patën të veshura kur vdiqën.