“Trupat amerikane nuk ikin për momentin” – Ish-zyrtari i NATO: Kosova të përgatitet për çdo skenar

Për momentin, nuk ka ndryshime të planifikuara sa i përket trupave amerikane të KFOR në Kosovë.
Kështu shprehet Departamenti i Mbrojtjes në SHBA, në një reagim për Radion Evropa e Lirë, mes zërave për reduktim të pranisë ushtarake amerikane në Europë.
Megjithatë, ish-zyrtarë të NATO-s paralajmërojnë se me tensionet e vazhdueshme në Ballkan dhe me ndryshimin e prioriteteve globale, Kosova duhet të përgatitet për çdo skenar.
Jamie Shea, ish-zyrtar i lartë i NATO thotë për Radion Evropa e Lirë se presidenti i Shteteve të Bashkuara është transaksional dhe mund të kërkojë nga Kosova, favore në këmbim të mbajtjes së trupave. “Ndaj jini të përgatitur”, paralajmëron ai.
Sipas Komandës Evropiane të SHBA, numri i përgjithshëm i forcave amerikane në Evropë varion mes 75.000 dhe 105.000 që nga viti 2022.
Prej tyre, aktualisht, 63.000 janë të dislokuara në mënyrë të përhershme, ndërsa me rotacion. Në Kosovë, Shtetet e Bashkuara kanë rreth 600 ushtarë në kuadër të misionit KFOR, në krahasim me mbi 5.000 sa kishin në ’99-tën.