Ambasada turke në Kosovë imponon ndalimin e shfaqjes “Të gjashtët kundër Turqisë” në Prizren

Fahri Musliu, gazetar i njohur në Kosovë, shkruan në profilin e vet në Facebook për një ngjarje që paralajmëron se e keqja ka zënë shtrat mirë edhe përtej kufirit tonë.
“Dje, më 6 mars, e lexova në portalin Koha.net shkrimin mbi vendimin për ndalimin e shfaqjes teatrale “Të gjashtët kundër Turqisë”, në Prizren, të autorit të mirënjohur, Jeton Neziraj, pjesë kjo e cila është në repertorin e rregullit të Teatrit Kombëtar në Prishtinë, është shfaqur në disa qytete të Kosovës dhe në shumë skena evropiane me kritika pozitive, dhe ky shkrim më la pa tekst.
Fjala është për ndalimin e dytë të shfaqjes në fjalë (e para në dhjetor 2024), kësaj radhe me vendim dhe urdhër direkt të kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqit Totaj, e me trysni dhe kërkesën e prerë të Ambasadës dhe Konsullatës së Turqisë në Kosovë. Me çfarë të drejte ndërhyjnë me kërkesë ultimative përfaqësuesit diplomatik të Turqisë mike dhe prej kur duhet zbatuar qëndrimet e diplomatëve të huaj për ngjarjet kulturore?
Më e keqja e kësaj “ngjarje” është “ultimatumi” është bërë me kërkesë të drejtuesve të një subjekti politik të komunitetit turk në Prizren, të cilët i referohen titullit të shfaqjes (ku gjoja fyhet pushteti i Turqisë) por nuk besoj se e dinë përmbajtjen. Mirëpo a mundet një subjekt i tillë politik i një komuniteti jo-shumicë të vendosë për një ndalesë të tillë, çfarë funksioni ka dhe kundër dëshirës së popullatës shumicë?”, shkruan Musliu.
Në të njëjtën mënyrë, pështymën në fytyrë nga Turqia e kemi marrë edhe këtu në Tiranë, kur në prani të një gjëje njerëzore si Edi Rama, presidenti turk, Erdogan, prralliste për martirë të Islamit në inaugurimin e Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë. Musliu bën thirrje që punonjësit e Teatrit të hidhen në grevë sepse “kur njëherë i hapet dera të keqes, ajo nuk ka të ndalur”.
Më 24 tetor 2024, Igor Buriç shkruante në “Koha Ditore” se vepra në fjalë është “një rrëfim për guximin” dhe ajo merr shkas nga deportimi i dhunshëm i gjashtë gulenistëve nga Kosova në vitin 2028.