Zgjedhjet e 11 Majit/ Rama përfundon diskutimet me drejtuesit politikë të qarqeve për listat e deputetëve

Për të tretën ditë me radhë, kryesocialisti Edi Rama zhvilloi sot takimet me drejtuesit politikë socialistë në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Ditën e sotme, takimet e pasdites rinisën në orën 15:00 me drejtuesin politik të qarkut Kukës, Eduart Shalsi, e më pas kanë vijuar me një nga drejtuesit politik të qarkut Tiranë, Ogerta Manastirliun dhe më pas me Elisa Spiropalin, duke përfunduarrreth orës 18:00.
Deri më tani nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar për kandidatët, pasi vendimi final për listat do të merret në mbledhjen e Kryesisë socialiste, e cila do të mbahet më 12 mars.
Gjithashtu, janë përmendur disa kryebashkiakë që kanë shprehur interes për të qenë në listat për deputetë, përfshirë Ervin Demon, kryetar i Bashkisë së Beratit, Juliana Mema, kryebashkiake e Dimalit, Tërmet Peçi, kryetar i bashkisë së Tepelenës dhe Agron Malaj, kryetar i bashkisë së Matit.
Për listën e mbyllur, Rama ka theksuar se do t’i japë prioritet më të madh përfaqësimit të grave dhe vajzave, ndërsa për listën e hapur do të përfshihen eksponentë të PS-së që kanë më shumë se dy mandate, të cilët do të luftojnë për një vend në Parlament.