Stadiumi Kombëtar me emrin “Air Albania”, kompania as 1 vit aktivitet

Kompania e fluturimeve “Air Albania” ka blerë emrin e Stadiumit Kombëtar, por blerja duket se nuk ka respektuar një nga kushtet e vendosura nga FSHF, që kompania duhet të kishte të paktën 10 milionë euro xhiro vjetore.

Air Albania u themelua vitin e kaluar dhe për 2018-ën nuk kishte të ardhura.

Sips TCH, “Air Albania” paraqiti ofertë prej 650 mijë euro në vit, për të blerë për 5 vite emrin e Stadiumit Kombëtar.

Oferta thuhet se ishte më e madhe se interesi i shprehur nga Bolv-Oil, Vodafone apo Sigal.

Marrëveshja, e cila nënshkruhet të hënën, ngjall dyshime pasi kushtet e vendosura ishin që “kompania të kishte xhiro prej të paktën 10 milionë eurosh në vit”.

Në thirrjen zyrtare të muajit korrik thuhej:

“Shfaqja e interesit (nga kompanitë) do të konsistojë në një letër ku të parashtrohet deklarimi i kompanisë se është e interesuar dhe të paraqitet dokumentacion bazë për xhiron e kompanisë dhe një CV të saj në lidhje me veprimtarinë në vendin tonë apo jashtë tij.”

Nuk është e qartë se si kompania Air Albania, e formuar më 13 gusht të vitit 2018, me aksioner 10 për qind AlbControl (shtetërore), 41 për qind MDN Investment dhe 49 për qind nga Turk Hava Yollari i ka plotësuar kushtet e thirrjes së shpallur më 22 korrik të këtij viti.

Në bilancin e vitit 2018 ajo rezultoi pa të ardhura dhe me 100 mijë euro humbje (12,265,000 lekë).

Kompania Qendra Sportive Kuqezi, e cila zotëron “anën sportive të Stadiumit Kombëtar” ka aksionerë 25 për qind Ministrinë e Ekonomisë dhe 75 për qind FSHF.

Megjithatë ajo nuk e sheh të detyrueshme respektimin e transparencës, aq më shumë kur bëhet fjalë për Stadiumin Kombëtar.

Vlen të theksohet se pjesa tjetër, “jo-sportive” është e paqartë se çfarë sipërfaqe ka.

Kështu marrëveshja e shitjes së emrit i shtohet serisë së marrëveshjeve të dyshimta dhe jo-transparente mes qeverisë, FSHF-ës dhe privatëve, të cilat kanë përçudnuar Stadiumin Kombëtar.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT