Arena Kombëtare, projekti thuajse identik me një stadium në Meksikë (VIDEO)

Shqipëria ka më në fund një stadium modern, të denjë për të luajtur ndeshje të niveleve më të larta të futbollit.
Arena Kombëtare është thuajse e përfunduar dhe gati për ndeshjen e 17 nëntorit ndaj Francës. Por, polemikat që kanë shoqëruar jetën e shkurtër të strukturës më të madhe të ndërtuar ndonjëherë në vend nuk kanë mbaruar.
Nga projekti me kullë, te ndërtimi pa një tribunë kryesore të mirëfilltë, ku gjysma e hapësirës është shfrytëzuar për qendrën tregtare, për të vijuar me zbulimin se impianti në Tiranë është imitim i një stadiumi në Meksikë.
Bëhet fjalë për “Nemesio Diez”, i cili është në pronësi të skuadrës së Tolukas. Projekti, fasada e jashtme dhe pjesa e brendshme janë thuajse identike. Madje edhe stadiumi maksikan ka një tribunë VIP më të vogël, me gjysmën e sipërme që nuk është funksionale për një ndeshje futbolli.
Diferenca është se struktura, e hapur për herë të parë në vitin 1954, ka pritur ndeshjen e dy edicioneve të Kupës së Botës dhe është një prej impianteve më historikë në Meksikë. Ai u rindërtua në vitin 2017, me rastin e 100-vjetorit të themelimit të klubit, duke e rritur kapacitetin deri në 30 mijë vende. Impianti në Shqipëri ngjason si binjaku i “Nemesio Diez”, me ndryshimin se ka kullë dhe kapacitet më të vogël, prej 22 mijë e 500 spektatorësh.