Meta sulmon diplomatët: Disa të korruptuar na lanë pa Gjykatë Kushtetuese

Teksa po fliste për procesin e ndjekur për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, presidenti Ilir Meta ka shpërthyer sërish në akuza ndaj diplomatëve të huaj të cilët i quajti të korruptuar.
Sipas tij, vendi është prej dy vitesh pa Gjykatë Kushtetuese për shkak të tyre.
“Ua kam thënë një mijë herë disa diplomatëve të korruptuar që thonin më mirë pa Gjykatë Kushtetuese. Marrëveshja ishte që vendi të mos mbetej pa gjykatë. Kjo është e vërteta. Kjo nuk ka ndodhur prej vettingut, por sepse duhej një ushtar i verbër në krye të partisë. Duhej sesben një ushtar qorr i partisë në KED”, deklaroi presidenti.
Presidenti Ilir Meta iu përgjigj ashpër akuzave të Taulant Ballës se zgjodhi qëllimisht Marsida Xhaferllarin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese.
“Nuk jam këtu për t’u marrë me thashetheme që u takojnë politikanëve që nuk kanë dinjitet as politik ,as familjar dhe as shoqëror”, tha Meta.
Sipas presidentit, Marsida Xhaferllari ishte kandidatja me CV më të shkëlqyer.
“Sa për emrin, është emri me CV më të shkëlqyer, por është diskriminuar dhe duket qartë se për çfarë arsye. Xhaferllari ka kualifikimet më të larta në të gjitha kriteret e karrierës”, tha presidenti.