Shqipëria firmos me 24 shtete për të marrë informacione sekrete

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka firmosur marrëveshje me 24 shtete, të cilat japin informacione të karakterit tejet sekret për shtetas shqiptarë apo të huaj.
Që prej vitit 1990, në Shqipëri kanë hyrë dhe kanë dalë shumë persona shqiptarë dhe të huaj, për të cilët nuk ka pasur shumë informacion për aktivitetin e tyre të mëparshëm.
Kjo ka shërbyer si indicie që fillimisht të ngrihej një zyrë në Ministrinë e Brendshme për informacione që cënonin sigurinë kombëtare, e që më pas nisur nga përvoja e vendeve të zhvilluara u kthye në një drejtori, me varësi direkt të Kryeministrit.
Në vitin 2009, Shqipëria u anëtarësua në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut, NATO.
Si pjesë e këtij Traktati dhe si shtet anëtar i NATO, Shqipëria përmbushi synimin strategjik dhe objektivin parësor të politikës së jashtme duke avancuar ndjeshëm në realizimin e interesave kombëtare.
Anëtarësimi në NATO ka krijuar mundësinë që nëpërmjet pjesëmarrjes aktive në vendimmarrjen e Aleancës, të jepet kontribut në përpunimin e çështjeve që lidhen me sigurinë euroatlantike, për rrjedhojë edhe me sigurinë kombëtare.
Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) ka si mision të saj hartimin e politikave, programeve e procedurave për sigurimin e informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror”, mbikëqyrjen e institucioneve dhe operatorëve ekonomikë të interesuar, ndjekjen e procedurave, edukimin dhe sigurimin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar në të gjitha disiplinat e tij.
Bën certifikimin e personelit i cili administron informacionin e klasifikuar dhe merr informacion të plotë për të gjithë zyrtarët shqiptarë dhe jo vetëm që ikin me detyra të ndryshme jashtë vendit.
Autoriteti i Sigurimit Kombëtar përgatit, negocion dhe nënshkruan, marrëveshjet për mbrojtjen e përbashkët të informacionit të klasifikuar ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverive të vendeve të tjera.
Republika e Shqipërisë ka lidhur marrëveshje në fushën e sigurisë së informacionit me NATO, Ukrainën, Estoninë, Poloninë, Greqinë, Maqedoninë, Gjermaninë, Bullgarinë, Kroacinë, Sllovakinë, Letoninë, Çekinë, Slloveninë, Francën, Kosovën, Malin e Zi e të tjera.
Këto janë marrëveshje të ratifikuara nga Kuvendi i Shqipërisë, si dhe janë në proces ratifikimi edhe marrëveshje me shtete të tjera.