Patenta të reja/ Gonxhe tender të ri 900 mijë euro, hidhet në “kosh” printeri 100 mijë euro!

Vetëm në dy vitet e fundit, Drejtoria e Transportit Rrugor ka bërë disa tendera për patentat. Por, megjithë këto para të shpenzuara, situata ka qenë alarmante. Gazeta SHQIP ka mësuar se shumica e Drejtorive të Transportit Rrugor në rrethe janë ankuar se mungon kartoni.

Shtimi i disa elementëve të rinj në karton ka sjellë këtë kaos. Ish-drejtori Arben Isaraj është munduar fillimisht të bëjë tender për kartonë, por akuzat e pjesëmarrësve në tender sollën anulimin e tij. Ministria e Infrastrukturës dyshoi se tenderi ishte i paracaktuar dhe në këtë mënyrë ai u anulua.

Por, situata për qytetarët u bë alarmante, aq sa në vend të kartonëve, u printuan vetëm copa letre. Dhe, në kulmin e këtyre akuzave, ish-drejtori Isaraj gjeti “zgjidhjen” provizore, duke bërë tender rreth 100 mijë euro që të blihej një printer për të printuar pikërisht këto kartonë.

Ndërkohë, qeveria shpenzoi rreth 2 milionë euro të bënte sistemin e patentave, por pa gjetur zgjidhje përfundimtare. Situata doli jashtë kontrollit dhe pak muaj më parë, Arben Isaraj u detyrua të japë dorëheqjen, teksa ai u pasua nga Blendi Gonxhe.

Natyrisht, gjatë javëve të para, Gonxhe ëshë munduar që të rregullojë këtë situatë. Me një të rënë të lapsit, Gonxhe ka akorduar rreth 800 milionë lekë të vjetra (pa TVSH, me TVSH 900 mijë euro) për kompani që do bëjnë printimin e patentave të reja.

Gazeta SHQIP ka siguruar dokumentet e një tenderi të ri që po bën DPSHTRr, dokumente të cilat mbajnë firmën e drejtorit të ri, Blendi Gonxhe. Në këto dokumente thuhet se objekti I tenderit është “blerje prokat leje drejtimi”, ndërkohë të ardhurat janë nga të ardhurat e brendshme të institucionit. Këto para janë për dy vjet, ndërkohë që tenderi do të bëhet më datë 25 nëntor.

Patentat e reja, sipas dokumenteve të SHQIP, do të kenë element shtesë të sigurisë, elementët grafikë dhe mënyrën e plotësimit të lejedrejtimit të re të mjeteve rrugore. Sipas saj, patentat kur do të merren në dorëzim do të verifikohen pranë laboratorit të Policisë shkencore të Ministrisë së Brendshme ose një laboratori të liçencuar për këtë qëllim.

Megjithatë, pas bërjes së këtij tenderi, me të drejtë na lind pyetja: Ku do të shkojë printer 100 mijë eurosh që bleu Isaraj?

Back to top button
LAJMET E FUNDIT