VIDEO/ Për herë të parë pas 20 vitesh ulet një avion në bazën ajrore të Kuçovës, amerikanët krah Forcave Speciale

Forcat Speciale shqiptare treguan se janë të afta për të marrë pjesë në operacione speciale bashkë me kolegët e tyre amerikanë. Kështu njofton, përmes një postimi në Facebook, Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka bën me dije se për më shumë se 1 javë, dy avionë “MC-130J Commando II” të Krahut të Operacioneve Speciale ajrore amerikane, fluturuan në hapësirën ajrore shqiptare.
Xhaçka ka theksuar se këta avionë kanë përdorur bazën e Rinasit, por edhe atë të Kuçovës, ku është shënuar ulja e parë në 20 vite të një avioni me përmasa të tilla.
“Forcat Speciale shqiptare treguan se janë të afta për të marrë pjesë në operacione speciale bashkë me kolegët e tyre amerikanë. Për më shumë se 1 javë, dy avionë “MC-130J Commando II” të Krahut të Operacioneve Speciale ajrore amerikane fluturuan në hapësirën ajrore shqiptare dhe përdorën bazat e Rinasit dhe Kuçovës, duke shënuar te kjo e fundit, uljen e parë në 20 vite të avionëve me të tilla përmasa|”, shkruan Xhaçka.
Në muajin gusht të vitit 2018, u dha lajmi se NATO do të ndërtojë bazë ajrore në Kucovë, në bazën e vjetër ajrore, ku tashmë qëndrojnë avionë luftarakë. Baza ajrore e Kuçovës do të shëndërrohet në bazën e parë të NATO-s në Ballkanin Perëndimor. Vetëm investimi fillestar shkon në shifrat e 50 milionë eurove.