Rama do të shesë pasaportat për 100 mijë dollarë, The Guardian: Ka rrezik

Në Londër, në një hotel me pesë yje është mbajtur një aktivitet për promovimin e shitjes së atyre që quhen “pasaporta të arta”.

Aty ka marrë pjesë edhe kryeministri shqiptar Edi Rama.

Rama ishte në këtë aktivitet krahas kryeministrit të Shën Luçias në Karaibe, atij malazez, një ministri maltez dhe disa ambasadorëve nga Antigua, Barbuda dhe Qipro.

Megjithëse nuk ka asnjë konsultim me institucione dhe publikun në Shqipëri Edi Rama ka premtuar në këtë konferencë se kush merr nënshtetësi shqiptare nga të huajt e pasur, nuk do të paguajë taksa për 10 vjet, – shkruan “ The Guardian”.

Pra, një i huaj me para nuk do paguajë në vendin tonë asnjë taksë për 10 vjet  në këmbim të blerjes së pasaportës shqiptare për 100 mijë dollarë.

Gazeta e njohur britanike “The Guardian” ka cituar zv. presidenten e Komisionit Europian, Vera Jurova, e cila thotë se shitja e pasaportave paraqet rrezik.

Por shton se për momentin KE nuk ka kompetenca për të ndërhyrë.

Kompania që ka organizuar aktivitetin, Henley & Partners me biletë hyrjeje 1 500 stërlina është raportuar disa herë se ka patur jo pak probleme me aktivitetet e saj.

Këto të fundit konsistojnë në ndërmjetësimin mes qeverive dhe pasanikëve të interesuar.

Një prej shteteve që mori pjesë në event, Qiproja i dha nënshtetësi përmes shitjes një biznesmeni në kërkim nga Malajzia, por gjithsesi ka premtuar se do ta revokojë atë.

Edhe Malta që e aplikon këtë skemë përmes koncesionit të dhënë kompanisë në fjalë akuzohet se ka shitur nënshtetësinë pesë njerëzve në kërkim dhe të akuzuar për vepra të rënda penale, kryesisht pastrimin e parave.

Nuk është e qartë se kush e ka ftuar kryeministrin Rama në këtë aktivitet.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT