Përse gjithë kjo luftë për Gjykatën Kushtetuese?

Mazhoranca dhe Presidenca janë përfshirë në një luftë të ashpër për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Institucioni më i lartë si garant i Kushtetutës është futur në një kaos sa dy palë gjyqtarë shkojnë në zyrë për të njëjtën karrige. Pa dashur të interpretojmë kush ka të drejtë pasi do të jetë po Gjykata Kushtetuese ajo që do i vërë vulën, disa gjëra mund t’i themi.

Ditën e djeshme Parlamenti miratoi një rezolutë kundër Presidentit Meta, ndërsa ky i fundit me tone të ashpra sulmoi mazhorancën parlamentare, ndërsa lajmëroi një padi penale ndaj kreut të KED, Adrian Dvorani.

Në pamje të parë duket si një luftë për kontroll të drejtësisë, por që në fakt është më tepër se kaq. Fati politik i Ilir Metës dhe Edi Ramës është në dorën e Gjykatës Kushtetuese. Me të krijuar kuorumin e vet, Gjykata do të duhet të vihet në provë me dy çështje shumë të rëndësishme.

Sëpari është procesi i votimeve të 30 qershorit. A janë legjitime pa praninë e opozitës dhe a do rrëzohet dekreti i Metës për 13 tetorin? Nëse Rama merr shumicën në këtë gjykatë siguron një vendim në favor dhe legjitimon procesin, edhe pse ky u bë pa praninë e opozitës.

E dyta është fati personal i Presidentit. Parlamenti ka ngritur një komision hetimor i cili do të përmbyllet me një raport për shkarkimin e Metës. Nëse plotësohen 94 vota në Kuvend që tashmë mazhoranca i ka, do të duhet vendimi i gjykatës kushtetuese që certifikon ose jo shkarkimin e kreut të shtetit.

Vitore Tusha dhe Besnik Muçi janë dy të listës së Metës dhe një gjykatë që funksionon me gjashtë anëtarë e bën jetike praninë e anëtarit tjetër të presidentit që në këtë rast është Marsida Xhaferllari.
Këto dy vendime por dhe të tjera që pritet të depozitohen janë në themel të thelbit të përplasjes mes Metës dhe Ramës.

Përpos artificave ligjore që janë përdorur në rastin e përzgjedhjeve, ajo që është e qartë në Kushtetutë është fakti se presidenti ka tre anëtarë, kuvendi tre dhe po aq janë dhe nga gjykata e lartë. Beteja për t’i marr njëri-tjetrin anëtarë sapo ka nisur dhe duket se do të vijoj gjatë.

Ajo që dihet për momentin është fakti se kush merr gjykatën kushtetuese ka në dorë dhe fatin politik të kundërshtarit. Por me siguri mund të thuhet se një gjykatë e kontrolluar, është një reformë e dështuar. Shpenzimet dhe energjitë e harxhuara janë thjesht ikja e drejtësisë nga një dorë dhe kalimi në një dorë tjetër./E.H

Back to top button
LAJMET E FUNDIT