Si do të fshihen gjobat e 10 viteve të fundit, zbardhet procedura që do të ndiqet

Nga kjo e mërkurë hyn në fuqi vendimi për faljen e gjobave gjatë 10 viteve të fundit.
Policia e Shtetit, Policia Bashkiake, IKMT, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Inspektorati Shtetëror Shëndetësor do të çojnë në drejtorinë e taksave listën e gjobave të gjitha penalitetet që nuk janë paguar, me qëllim heqjen e tyre nga sistemi.
Individët apo subjektet që konstatojnë se masa administrative ndaj tyre nuk është fshirë, kanë të drejtë të paraqesin një kërkesë pranë strukturës përkatëse vendore.
Verifikimi i kërkesës kryhet brenda 5 ditëve dhe në rast se refuzohet, subjekti ka të drejtën të ankimojë vendimin në gjykatë. Sipas vendimit, procesi i heqjes/fshirjes së masave përfundon brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit.
Për masat administrative të paekzekutuara që nuk kanë të qartësuar tipologjinë e ndërtimit pa leje, afati zgjatet në 80 ditë, dhe kërkohet një akt ekspertimi i nënshkruar nga tre ekspertë të licencuar.
Ky vendim përfshin penalitete të vendosura nga data 1 janar 2015 deri më 30 nëntor 2024, të cilat nuk janë ekzekutuar deri më 15 janar 2025, sipas ligjit nr.127/2024. Nga vendimi i qeverisë u bë me dije se masat administrative që do të shfuqizohen lidhen me ndërtimet pa leje në banesa ose objekte bujqësore/blegtorale; subjektet bujqësore në zona rurale të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre pa përmbushur rregullat si dhe gjobat e vendosura ndaj qytetarëve për shkelje të masave kufizuese gjatë pandemisë së Covid-19. Ndërsa përjashtohen nga ky vendim të gjitha gjobat e shkeljeve rrugore.