“Falenderoj 8 mijë heronjtë”/ Meta telefon gazetarët nga SPAK: Votuesit e mi u tradhtuan nga një maskara…

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka zhvilluar një telefonatë të pazakontë me gazetarët teksa ndodhej brenda ambienteve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku po merrej në pyetje si i pandehur në lidhje me hetimet që po zhvillohen ndaj tij.
Në deklaratën e tij, Meta u shpreh se është i vendosur të përballet me çdo akuzë, por njëkohësisht nuk kurseu akuzat e ashpra ndaj atyre që i konsideron si tradhtarë brenda forcës së tij politike. Ai nënvizoi se më 11 maj 8 mijë qytetarë votuan për të dhe i quajti “heronj”, ndërsa theksoi se mbështetësit e tij u tradhtuan në mënyrë të ulët.
Pa përmendur emra konkretë, Meta iu referua ish-anëtarit të Kryesisë së PL, Faik Basha, i cili braktisi partinë pak ditë para zgjedhjeve. “Maskara që dorëzoi listat me 12 mijë votues tanë te PS. Kjo është tradhti e pastër dhe e organizuar,” deklaroi Meta.
Ai la të kuptohet se zbulimet dhe goditjet ndaj Partisë së Lirisë kanë ardhur si rezultat i bashkëpunimeve të brendshme me kundërshtarët politikë dhe e cilësoi këtë një “komplot të mirëorganizuar për të sabotuar vullnetin e qytetarëve”.
Telefonata e Metës për gazetarët:
Ilir Meta: I uroj (SPAK-ut) për 83 mandatet që i dhanë me task forcën e tyre kundër opozitës dhe me task forcën e tyre për të mosvepruar kundër terroristëve elektoralë, në këmbim të manbdatit që ata presin nga Edi Rama që të jenë të përjetshëm. Nuk i kuptojnë dot krimet intelektuale të Edi Ramës dhe inceneratorin që nuk ekziston.
Mezi pres dhe nuk kam kurrë ndërmend të kërkoj mbylljen me procedurë, do ketë gazetarë ndërkombëtarë në sallën e gjyqit, do shihni shkrimet e Mero Bazes dhe faktet, provat se çfarë është kjo organizatë në shërbim të Edi Ramës, pjellë e një votimi antikushtetues me 69 vota të Prokurorit të Përgjithshëm Arta Marku, që zgjodhi KLP-në mënyrë të paligjshme dhe që zgjodhi këta. Është një proces që do të fitohet siç fitoi Presidenti Ilir Meta proceset hetimore që mori parlamenti me 122 kartonat kundër Presidentit të Republikës.
I falenderoj 8 mijë heronjtë që votuan për Ilir Metën që u rrëmbye në atë mënyrë terroriste me vetëdije me firmën e Altin Dumanit dhe të kolegëve të tij. I falenderoj të gjithë ata shokë dhe miq që punuan por që u tradhtuan nga një maskara i cili me porosinë time është shpallur non grata dhe këtë e di Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, i cili dorëzoi listën prej 12 mijë emrash që kishin bërë shokët, miqtë dhe dashamirësit e Ilir Metës te patronazhistët, sepse priste që të bëhej Sekretar i Përgjithshëm në vend të Tedi Blushit…