Një dëshmi shokuese e Izet Haxhisë për Berishën dhe Ambasadën Amerikane

Urdhri i prerë i Berishës për Izet Haxhinë: “Jepini një mësim shembullor “lavires” Mariza Lino në Ambasadën e SHBA në Tiranë. Të hidhet në erë, duke mos i lënë asnjë nishan Ambasadës së SHBA…”

Cilët ishin personat që punuan në fshehtësi për planin e bombardimit të ambasadës amerikane. Me kë u konsultua Izeti dhe pse nuk e zbatoi urdhrin e ish-shefit të tij. Si dhe pse ndodhi thyerja e madhe dhe e pariparueshme e Sali Berishës me amerikanët.

Një parafjalë e shkurtër për dëshminë e Izetit

Ka disa muaj që Izet Haxhia është rikthyer vrullshëm në vëmendje të opinionit publik shqiptar. Ai është pyetur për disa javë me radhë në hetuesinë e krimeve të rënda, ku ka ngritur rreth 30 akuza ndaj ish-shefit të tij Sali Berisha. Afro një vit më parë, në një letër drejtuar Prokurores së Përgjithshme në detyrë, Arta Marku, Izet Haxhia, shkruante:  

“Është e vërtetë se unë sot ndodhem në burgun 302, i akuzuar për vrasjen e Azem HAJDARIT, për të cilën jam dënuar padrejtësisht. Pas rivendosjes në afat të gjykimit do të kem mundësinë të provoj seancë pas seance gjyqësore pafajësinë time.

Gjendja ime juridike sikundër e përmenda më sipër nuk më ndalon, të akuzojë e të provojë, një sërë veprash penale, të konsumuara nga Sali BERISHA.

Ky kallëzim kryhet në këtë moment, jo për të lehtësuar pozitën time juridike në procesin gjyqësor penal që kam aktualisht, por përkundrazi këmbëngul jo thjesht në procedurë për këtë rast por për detyrimin të dalë në dritë e vërteta mbi veprimtarinë e një personi mbi të cilën rëndojnë një sërë krimesh.

Me kohë kam fol e shkruar për akuza konkrete ndaj Sali BERISHËS por gjithçka ka rënë në vesh të shurdhër.

Asnjëherë organi i akuzës në Shqipëri nuk është bërë i gjallë të veprojnë kryesisht, proceduralisht. “Amnistia” për një person kaq të rrezikshëm e të kriminalizuar si Sali BERISHA ka hapur precedent e pandëshkueshmërisë, të pabarazisë përpara ligjit dhe në veçanti të vepruarit me dy standarde.

E ndjej obligim ndaj vendit dhe popullit tim të ushtroj këtë kallëzim penal, kundër dhe për personin që e besova, e respektova deri në vetëmohim dhe më në fund pësova edhe zhgënjimin më të madh të jetës. Jam në çastin e duhur të kryejë këtë detyrë edhe nëse “zinxhirët” e procedurave se pranojnë këtë kallëzim, përderisa vazhdojë e të mbijetojë jam në kohë të them të vërtetën lidhur me krimet e atij që i vuri zjarrin Shqipërisë.”

Natyrisht, rigjykimi i Izet Haxhisë për çështjen “Hajdari” do të jetë një nga ngjarjet më të bujshme në jetën politike shqiptarë dhe ndoshta një pikë kthese për drejtësinë shqiptare. Izeti gjatë komunikimeve nga burgu ku është ka thënë se “Kam surpriza të pakëndshme, si për organizatorët e vrasjes së Azemit, për ata që e nxorën në pritë, për motivin e kësaj vrasje dhe për ata që me përzjenë mua pa dashjen time. Boll kam heshtur e mbrojtur të tjerët. Le të hapet ‘kutia e Pandorës’ dhe gjithsecili të marrë atë që i takon…”

Në vijim po sjellim, sipas avokatit të tij, njërën nga dëshmitë më tronditëse të Izetit dhënë ditët e fundit, për një nga dosjet më të rënda për një krim të mbetur në tentativë, atë të një sulmi të mirë planifikuar për bombardimin e Ambasadës amerikane në Tiranë në maj 1997.

Përgatiti për botim Xh. Shehu

Nga Av. Idajet Beqiri 

Një ndër dosjet më delikate dhe të rëndësishme që Izet Haxhiaj ka kopsitur në detaje, me prova dhe me fakte bindëse para hetuesve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda është edhe ideja, urdhri dhe planifikimi prej Sali Berishës të aktit terrorist kundër Ambasadës së SHBA në Tiranë. Ishte fillimviti 1997. Berisha, pas rënies së firmave piramidale dhe ndërkohë që vendi ishte përfshirë nga rebelimi i armatosur kundër tij, kërkonte një shteg për të shpëtuar kokën. Ai ishte izoluar tërësisht nga faktori ndërkombëtar dhe shqiptarët në mënyrë masive ishin ngritur kundër tij, pas rënies së firmave piramidale.

SHBA ishin të mirinformuara kohë më parë për çka do të ndodhte me rënien e firmave piramidale dhe herë hapur dhe herë në mënyrë të tërthortë ishin distancuar nga politika dhe qëndrimet e mbrapshta të Sali Berishës. Ish-Presidenti e kishte kuptuar këtë dhe, ndërsa ndihej ende i plotfuqishëm në postin e tij, i shkoi mendja dhe planifikoi një nga krimet më të marrëzishme…

***

Në muajin dhjetor 1996, Izet Haxhiaj, duke qenë truproja kryesore e ish Presidentit Sali Berisha, i komunikohet nga Ambasadën e SHBA në Tiranë se ishte miratuar dhe planifikuar që në muajin janar-mars 1997 ai do të vazhdonte një kurs tre mujor në SHBA për antiterrorizmin.

Izet Haxhiaj vuri në dijeni për këtë fakt Sali Berishën, duke i thënë se i dukej me shumë interes ky ofrim që i bëhej prej Ambasadës së SHBA në Tiranë, duke i kërkuar atij që ta lejonte, nëse e konsideronte të arsyeshme këtë gjë. Sali Berisha në mënyrë të prerë e refuzoi këtë gjë, duke i thënë Izet Haxhisë që nuk do të largohej prej tij dhe se nuk i duhej ai kurs në SHBA.

Në muajin shkurt 1997, kur kishin filluar trazirat në Shqipëri pas rënies së firmave piramidale, te Pallati i Kongreseve zhvillohej një konferencë. E pranishme në këtë konferencë ishte edhe Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Mariza Lino. Ambasadorja kërkoi të gjendej aty Izet Haxhiaj dhe të takohej me të. Njerëzit e saj e gjetën dhe e çuan Izet Haxhiaj te Ambasadorja Lino. Ajo pasi e takoi Izet Haxhinë, e ftoi të shkonte në Ambasadën e SHBA në Tiranë dhe të takohej me të. Izet Haxhiaj ra dakord.

Po atë ditë, Izet Haxhiaj vuri në dijeni Sali Berishën për faktin se ishte thirrur prej Ambasadores Mariza Lino dhe i ishte kërkuar të shkonte në Ambasadën e SHBA për t’u takuar me të. Sali Berisha në mënyrë kategorike e urdhëroi Izet Haxhiaj të mos shkonte në këtë takim.

Në kulmin e izolimit të Sali Berishës, pas krijimit të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar me kryeministër Bashkim Finon, dhe pasi kishte rënë shteti nga lufta civile që nxiti dhe zhvilloi Berisha mes shqiptarëve, posaçërisht me ngritjen e disa strukturave të SHIK-ut për të udhëhequr sulme me armë të disa veriorëve kundër Jugut të Shqipërisë, posaçërisht kundër Vlorës, në muajin maj 2017 përmes Ambasadës së SHBA në Tiranë, Pjetër Arbnorit, ish Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, iu komunikua një vizitë zyrtare në Amerikë. Kjo ftesë u prit shumë keq prej Berishës. Në këtë kohë ai jetonte te Vila 4.

***

Në një mëngjes të fillim muajit maj 1997, ka deponuar Izet Haxhiaj para hetuesve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë, më ka thirrur Sali Berisha në dhomën e tij të punës në Vilën Nr.4 dhe më ka thënë:

“Do të marrësh të gjitha masat, do të gjesh mjetet dhe njerëzit e përshtatshëm, dhe pa kursyer asgjë e me çdo çmim, do godisni “laviren” amerikane Mariza Lino brenda në Ambasadë. Të hidhet në erë, duke mos i lënë asnjë nishan Ambasadës së SHBA në Tiranë.” 

Unë u shtanga, thotë Izet Haxhiaj, dhe pas një pauze, e vështrova në sy Sali Berishën për të kuptuar nëse e tha këtë gjë nga dëshpërimi i çastit, apo ishte një urdhër i mirëmenduar. Mirëpo kur Berisha më përsëriti urdhrin dhe më porositi që aksioni të ishte i mirorganizuar dhe të jepte domosdo efektet e duhura për të marrë mësimin e merituar në radhë të parë Ambasadorja Mariza Lino, e pastaj vet SHBA, që po përkrahnin “rebelët” e Jugut kundër tij, kam dalë nga Vila dhe menjëherë kërkova të takohesha me vëllain tim Isamedin Haxhiaj.

Në atë kohë Isamedin Haxhiaj punonte pranë Forcave Speciale të Ministrisë së Brendshme. Mbasi u takuan të dy vëllezërit, Izeti i ka thënë Isamedinit urdhrin e prerë të Doktor Berishës. Isamedini bëri të habiturën dhe i tha Izetit që kjo punë ishte me zarar të madh, ndaj duhej konsultuar patjetër me ndonjë njeri tjetër më të pjekur…

Por ndërkohë vijuam me zbatimin e urdhrit të Presidentit.

Filluam përgatitjet e kushteve dhe rrethanave për të realizuar këtë akt terrorist, thotë Izet Haxhiaj, për të plotësuar urdhërimin e Doktorit…

Grumbulluam armët e nevojshme, mortajat dhe raketat antitank (RPG). Planifikuam qendrat e goditjes. Ato ishin dy: Me mortaja do e godisnim Ambasadën Amerikane nga Sanatoriumi, pak më poshtë Spitalit. Ndërsa pika e dytë e goditjes do të ishte te Liceu Artistik me raketat antitanke. Aty te Liceu ishte një godinë e abandonuar, e cila kishte shërbyer më parë si qendër sanitare. U përcaktuan qartë e saktë distancat nga Sanatoriumi dhe Liceu.

Ishte e domosdoshme të bënim disa prova me armët, duke mbajtur parasysh distancat nga pikat e goditjes, deri te Ambasada Amerikane.

Provat e armëve dhe goditja e objektivit sipas distancës përkatëse u bënë në malin e Qafë Krrabës. Dolën me suksese të plotë. Ishim plotë 7 veta që u morëm me këtë organizim. Në Qafë Krrabë kur bëmë provat me mortajën dhe me raketat antitanke ishin të pranishëm edhe Asim Kojeli, Sali Lushaj dhe tre djem të tjerë nga Tropoja. Mos harroni se Ambasada amerikane nuk ishte kjo që është sot, tejet e blinduar dhe gati pamundur ta sulmosh apo bombardosh. Në atë kohë Ambasada përfshinte vetëm godinat e ndërtuar qysh në vitet 30 të shekullit të kaluar dhe ishte lehtësisht e atakueshme…

Pasi kishim bërë gati gjithçka dhe planifikuam ditën e shtunë për të bërë aktin terrorist, Isamedini tepër i shqetësuar më tha:

“Është akt i tmerrshëm, frenohu nga zbatimi i këtij urdhri të Doktorit, konsultohu domosdo me ndonjë person të mençur, ndryshe do t’i  bësh dëm të pallogaritshëm vetes, të tjerëve dhe Shqipërisë…”

Më frenoi Isamedini, thotë Izeti, ndaj vrava mendjen me kë të bisedoja për këtë çështje, kujt do t’i merrja mendimin… Mëndja më shkoi te Mero Baze. Në muajin maj 1997 Mero Baze ishte korrespodent i “Zërit të Amerikës” në Tiranë. Merua ishte edhe miku i Sali Berishës. U takova me Mero Bazen. Nuk i thashë se çfarë urdhri më kishte dhënë Sali Berisha dhe çfarë përgatitje kishim bërë për të goditur në një orë të vonshme të natës Ambasadës së SHBA në Tiranë, kur i gjithë personeli i saj të ishte brenda në rezidencë. E pyeta në mënyrën hipotetike:

“Kjo Ambasada e SHBA në Tiranë dhe Mariza Lino, – i thashë Meros-, n’a i ka nxirë jetën, sikur t’a hedhim në erë me mortaja dhe raketa antitanke?!”

Mero Baze u prish në fytyrë dhe reagoi shumë ashpër: Nëse bëhet kjo gjë, më tha, Shqipëria e humbet përgjithmonë pavarësinë e saj dhe marrim fund si shtet dhe si vend…!

Kjo përgjigje më bëri të reflektoj thellë dhe të ndërpres të gjitha veprimet. U tërhoqëm menjëherë prej këtij organizimi.

***

Nga mesi i muajit maj, pas dy javësh qëndrim, Pjetër Arbnori u kthye nga vizita në SHBA. Berisha më thirri në zyrë, në Presidencë. “Çfarë bëre dhe po bën me atë që të thash kundër asaj “lavires” dhe Ambasadës Amerikane?!”- më pyeti me një ndjenjë ku përziheshin padurimi dhe pakënaqësia e thellë e tij deri në urrejtje.

Aty pashë ligësinë e pafund të këtij njeriu. Akti që do të kryeja unë do të ishte një nga më të turpshmit dhe do ta njolloste vendin dhe popullin tim përjetësisht në emër të një njeriu që ka punuar gjithë jetën kundër interesave kombëtare. Fatmirësisht ai mbeti një akt në tentativë që nuk u realizua kurrë. Besoj se këtë plan e kanë ditur shumë mirë edhe amerikanët qysh në atë kohë, pasi e kishin kuptuar se cili ishte Sali Berisha…

Gjithsesi, mua më duhej t’i jepja një përgjigje për urdhrin që më kishte dhënë. I thashë se punova shumë, bëra përgatitje, por është vërtetë shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur që të realizohet kjo gjë…

Berisha, tepër i nervozuar, pa folur me gojë, por me gjestin e dorës, me lëvizjen e egër të saj në drejtimin tim ma tha “ik sikterisu”, dhe më nxori nga zyra… Kjo ishte edhe dita e thyerjes së madhe me Berishën. Pas kësaj ngjarjeje dhe takimi, marrëdhëniet tona nuk u përmirësuan dot më…

Duke e menduar nga distanca e më shumë se 22 viteve, pasi jam penduar për shumë akte të renda që janë kryer nga Sali Berisha, ky plan për të bombarduar Ambasadën amerikane më mundonte më shumë. Ai do të ishte një akt i mirëfilltë terrorist, ku unë do të akuzohesha si autori kryesor dhe do të trajtohesh njëlloj si Bin Ladeni. Paskam qenë me fat që nuk e kam kryer atë akt.

Dëshmia e plotë e Izet Haxhisë për këtë akt të pashembullt të mbetur në tentativë do të jepet në gjyqin ndaj tij te Krimet e rënda, që mendojmë se do të zhvillohet së shpejti.

*****

Botuar në Dita. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë

Back to top button
LAJMET E FUNDIT