Ilir Meta i shpall luftë edhe BE-së, pas ambasadorit Borchard: Po keqpërdoret nga Rilindja

Zëdhënësja e Bashkimit Europian, Maja Kocijancic, u shpreh pak ditë më parë për Zërin e Amerikës se Shqipëria ka nevojë për ngritjen e një Gjykate Kushtetuese funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur.
Ndërsa sot deklaroi se:
“Reforma në drejtësi e miratuar unanimisht nga Parlamenti me ndryshimet kushtetuese dhe legjislative të vitit 2016 kishte konceptuar renditjen teknike nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kufizimin e diskrecionit të organeve të emërimit me tre kandidatët e parë më të kualifikuar, si dhe zbatimin e mekanizmit zhbllokues pas skadimit të një afati 30-ditor, si mjete të rëndësishme për të forcuar parimin e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë, në veçanti të Gjykatës Kushtetuese, si dhe parimet e objektivitetit, meritokracisë dhe vazhdimësisë institucionale në lidhje me emërimin e zyrtarëve të sistemit të drejtësisë.
Një interpretim që nuk i pranon këta elementë thelbësorë të mekanizmit të emërimit, siç përcaktohet në Kushtetutë dhe ligjet përkatëse, vë në pikëpyetje parimin e shtetit të së drejtës.
Nuk i takon Bashkimit Evropian të vlerësojë përputhshmërinë e hapave të ndërmarrë në lidhje me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese me Kushtetutën dhe ligjet përkatëse.
Në të njëjtën kohë, është thelbësore që ky konflikt interpretimi të zgjidhet me urgjencë, duke marrë parasysh dispozitat dhe frymën e ndryshimeve kushtetuese dhe legjislative të vitit 2016, për të siguruar që Gjykata Kushtetuese të bëhet plotësisht funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Kësaj të fundit i është përgjigjur menjëherë Presidenca, e cila pas ambasadorit Borchard, ka vendosur t’i shpallë luftë edhe BE-së.
“Maja të lexojë Kushtetutën në shqip dhe të mos keqpërdoret nga Rilindja për lajme dite”, thuhet në reagimin e zëdhënësit të Metës, Tedi Blushi, i cili mendon se zëdhënësja e BE-së është shoqja e tij dhe mund t’i thërrasë në emër. (TemA)