Hungarezi Varhelyi zgjidhet komisioner i ri i zgjerimit: Prioritet drita jeshile për Shqipërinë!

Parlamenti Europian e miratoi Oliver Varhelyin për Komisionar të Zgjerimit të Bashkimit Evropian. Varhelyi, kandidat nga Hungaria, ka qenë në seancë dëgjimore javën e kaluar, por nuk ka arritur t’i bindë plotësisht ligjvënësit e Parlamentit Europian se është i gatshëm për postin.

Atij i është dashur të përgjigjet edhe pyetjeve shtesë me shkrim. Përgjigjet janë dërguar paraditen e së hënës dhe kanë qenë të mjaftueshme që deputetët të konfirmojnë emërimin e tij. Varhelyi është kandidati i dytë nga Hungaria për këtë post. Përpara tij ishte në listë emri I Laszlo Troscanyi, i cili është refuzuar nga Parlamenti Europian për shkak të konflikteve të interesit.

Në total, Parlamenti ka refuzuar tre kandidatë nga Hungaria, Rumania dhe Franca. Kjo ka qenë edhe arsyeja përse Komisioni i ri Europian nuk e ka nisur punën në 1 nëntor, ashtu siç ishte planifikuar fillimisht.

Në paraqitjen e bërë konform standardeve gjatë seancës së tij konfirmuese në Parlamentin Evropian, në 14 nëntor, Varhelyi pat vënë në dukje në mënyrë të qartë se vendimi – kryesisht për shkak të pengesave franceze – për të mos hapur bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në tetor të këtij viti ishte “një gabim” dhe tha se një nga prioritetet e tij kryesore do të ishte arritja e një drite jeshile për palët përpara samitit BE-Ballkan Perëndimor që pritet të mbahet në muajin maj të vitit 2020 në Zagreb.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT