“Fuçia e barutit ka shpërthyer”/ Paralajmëron diplomati amerikan: Më e keqja s’ka ardhur ende…

Situata mes Iranit dhe Izraelit po hyn në një fazë gjithnjë e më të rrezikshme, ka paralajmëruar diplomati amerikan Robert Malley, i cili ka shërbyer si negociatori kryesor i marrëveshjes bërthamore me Iranin gjatë administratës Obama.
Në një intervistë për BBC, Malley e përshkroi zhvillimin e fundit si “një fuçi baruti që tashmë ka shpërthyer”, duke theksuar se përplasjet mes dy vendeve nuk janë më të natyrës simbolike apo të kufizuara, por mund të zgjasin dhe të thellohen në një konflikt të gjerë rajonal.
Bisedimet e planifikuara për të dielën në Oman, të cilat synonin rifillimin e dialogut mes Iranit dhe SHBA-së për çështjen bërthamore, janë anuluar në mënyrë të papritur. Sipas ndërmjetësit nga Oman, Teherani ka dyshuar se këto bisedime ishin një mashtrim i koordinuar nga SHBA dhe Izraeli, për të krijuar përshtypjen se nuk do të kishte një sulm ndaj Iranit – dyshim që ka çuar në ndërprerjen e kontaktit diplomatik.
Malley theksoi gjithashtu se, ndonëse sulmet izraelite janë përshkruar si një sukses “ushtarak dhe informativ i jashtëzakonshëm”, Irani ende zotëron njohuri dhe kapacitete të konsiderueshme për zhvillimin e armëve bërthamore. Kjo, sipas tij, e bën situatën edhe më të rrezikshme dhe i jep pak shpresë për një rifillim të bisedimeve serioze në të ardhmen e afërt.
Analistët ndërkombëtarë ndajnë shqetësimin se përshkallëzimi i mëtejshëm mes dy fuqive do të kishte pasoja të rënda jo vetëm për rajonin e Lindjes së Mesme, por për sigurinë globale në tërësi.