LIVE / “Show po bëjmë këtu?!”, rinumërimi i votave nis me përplasje mes vëzhguesve

Debate në ambientet e Pallatit të Sportit “Farie Hoti” në Tiranë, rreth dy orë nga nisja e procesit të rinumërimit të votave për 4 qarqet.
Siç raporton gazetarja e Klan News, Klesiana Omeri, një prej vëzhguesve të Partisë Demokratike ka konstatuar disa fletë votimi të pavlefshme në kuti, por që janë konsideruar të vlefshme për Partinë Socialiste. Këto të fundit, i përkasin bashkisë së Peqinit.
“Po dy fletët e votimit të pavlefshme, si do e shkruajnë ata?! Për çfarë po e bëjmë ne këtë, po bëjmë show ne këtu?! Është fakt, që dy fletë ishin të pavlefshme dhe janë quajtur për PS-në, kjo është konstatim?! Është rivlerësim?! Unë dua të di o zotëri, që të pasqyrohet sa ka qenë ky rinumërim, me atë të parin. Ky që të them unë është argument shtesë?”, dëgjohet teksa thotë vëzhguesi i PD-së.
Ndërkohë një tjetër vëzhgues, tregon fletët e votimit, ku është vënë kryqi te numri 5, ndërkohë që s’janë të vulosura.
“S’ka vulë fare! Ja, kjo është pjesa e trenit bullgar. Duan t’i bëjnë përsëri të vlefshme.”
Rinumërimi do të përfshijë katër qarqe: Tiranën, Fierin, Durrësin dhe Elbasanin. Ky proces do të përfshijë edhe 85 kuti nga votimi jashtë vendit, sipas vendimit të dhënë nga KAS.