Buxheti i BE 2020 i heq fondet Turqisë, i ndan për Ballkanin Perëndimor

Bashkimi Europian nuk ka ende një përgjigje nëse do ta ndryshojë metodologjinë e integrimit, por ka vendosur të ndajë më shumë fondë për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ndërkohë që është duke shqyrtuar propozimin francez për negociatat, Këshilli i BE-së duket se është duke u përpjekur të tregojë se është i angazhuar në rajon.

Brukseli arriti një marrëveshje për buxhetin e unionit për vitin 2020, i cili kap shifrën e 168.7 miliardë eurove.

Sipas kësaj marrëveshjeje, fondet për Turqinë do t’i kalojnë Ballkanit.

Edhe pse nuk dihet ende shuma e ndarë për vendet e rajonit, ajo raportohet të jetë shumë më e lartë sa shumat e ndara për Ballkanin Perëndimor në dekadën e fundit.

Fondet e reja për Ballkanin Perëndimor, (një shumë ende e paqartë) vijnë ndërkohë që Franca ka propozuar një model të ri për vendet e rajonit.

Ministrat e BE gjithashtu planifkojnë të ndajnë më shumë fonde për të fuqizuar sundimin e ligjit në Ballkan në kornizën shumëvjeçare financiare për vitet 2021-2027.

Kersti Kaljulaid, presidentja e Estonisë, i tha “Financial Times” pas miratimit të buxhetit se fondet e ndara për rajonin ishin një sinjal se zgjerimi i BE-së nuk ka prekur ende fundin.

Ajo paralajmëron se do të ishte “moralisht e papranueshme” për vendin e saj, i cili u bashkua me BE-në në vitin 2004, të pranonte një situatë ku “autobusi i BE-së i mbyll dyert ” vendeve të Ballkanit.

Propozimi francez për rishikimin e procesit të pranimit për vendet e Ballkanit Perëndimor ishte tema që ngjalli më shumë debat në mbledhjen e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të martën, në Bruksel.

Pas takimit, Ministrat e jashtëm të Francës, Holandës dhe Austrisë u thanë gazetarëve se Komisioni i ri Europian do ta diskutojë modelin francez mbi metodologjinë e re dhe idenë e riorganizimit të procesit të pranimit sapo të marrë detyrën.

Por duke folur pas bisedimeve, një diplomat europian zbuloi se Franca mbetet e izoluar kur bie fjala tek negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Një shumicë dërrmuese e vendeve anëtare mbetet në favor të një hapjeje të shpejtë të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut,” tha ai për “France 24”.

Zëdhënësja e Komisionit të BE-së, Mina Andreeva ka sqaruar se deri më tani Brukseli nuk ka marrë asnjë kërkesë zyrtare për të ndryshuar procedurat.

Vincenzo Amendola, ministri i Italisë për Çështjet Europiane tha se Roma nuk kishte asnjë problem në diskutimin e metodologjisë”, por se “objektivi kryesor” duhet të jetë hapja e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT