“Fordow nuk ekziston më”/ Përse Donald Trump vendosi të sulmonte sot?

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka tronditur opinionin publik botëror me deklaratën e tij të fundit: “Fordow u shkatërrua.” Ky ishte një ndër disa postime të publikuara në platformën e tij Truth Social, pas një serie sulmesh ajrore që, sipas Pentagonit, goditën me sukses tri nga objektet më të rëndësishme bërthamore të Iranit: Fordow, Natanz dhe Esfahan.

Burime të afërta me administratën Trump konfirmojnë se presidenti amerikan shpreson që ky veprim ushtarak do ta detyrojë Iranin të rikthehet në tryezën e negociatave. Aktualisht, nuk ka plane për sulme të mëtejshme, por Trump i ka bërë thirrje udhëheqjes iraniane që të “bien dakord për t’i dhënë fund kësaj lufte.”

Vendimi për sulm erdhi pasi diplomacia SHBA-Iran u konsiderua e dështuar. Trump kishte shprehur bindjen se vetëm një ndërhyrje e drejtpërdrejtë ushtarake mund të neutralizonte kapacitetet bërthamore të fortifikuara të Iranit.

Ndërkohë, tensionet në rajon janë në rritje. Forcat amerikane mbeten në gatishmëri të plotë për çdo kundërpërgjigje nga Irani.

Nga terreni, media shtetërore iraniane FARS News raporton për shpërthime të fuqishme pranë qytetit Qom, rreth 140 km në jug të Teheranit. Qytetarët dëgjuan disa zhurma të forta në afërsi të impiantit bërthamor Fordow, i cili ndodhet brenda një mali dhe konsiderohet ndër më të mbrojturit në Iran. Sipas raportimeve, shpërthimet ndodhën pasi sistemi i mbrojtjes ajrore në Fordow u aktivizua për të ndalur sulmin ajror amerikan.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar i druhet një përshkallëzimi të mëtejshëm ushtarak në Lindjen e Mesme.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT