7 vite betejë kundër Bashkisë, shoferi ‘rrëzon’ Erion Veliajn në gjykatë! U pushua nga puna se s’mbrojti Administratoren e Njësisë Nr.11

Një incident në zyrat e Njësisë Administrative Nr. 11 në Tiranë në Dhjetor 2017 do të kthehej në fillimin e një beteje ligjore që do të zgjaste më shumë se 7 vite.
Një qytetar i dehur hyn në ambientet e institucionit, ofendon të pranishmit dhe administratoren dhe përfshihet në një situatë të tensionuar që përfundon me ndërhyrjen e policisë. Por pasoja të papritura do të përballonte jo personi i dehur, por shoferi i njësisë.
Sipas administratores Jonida Doku, shoferi B.R. kishte dështuar të mbronte “dinjitetin e saj”, duke mos ndërhyrë ndaj personit agresiv. Edhe pse nuk ishte as truprojë, as përgjegjës sigurie, ai u shpall “fajtor” për pasivitet dhe u propozua shkarkimi ndaj tij.
Në një institucion ku akuzat për abuzim me tendera dhe fonde publike janë të përhapura dhe kryebashkiaku ndodhet nën arrest, Bashkia e Tiranës vendos të jetë e palëkundur përballë një shoferi që kërkonte dëmshpërblimin për largim të padrejtë nga puna. Vendimi për shkarkimin e tij u firmos nga Erion Veliaj më 18 janar 2018, me pretendimin për mungesë profesionalizmi.
Shoferi nuk u dorëzua. Ai nisi një betejë ligjore, duke kërkuar drejtësi në Gjykatën e Tiranës. Gjyqtarët i dhanë të drejtë: largimi nga puna ishte i paligjshëm dhe ai duhej dëmshpërblyer me 14 paga.
Por Bashkia nuk ndaloi. Rrugëtimi vijoi në Apel, ku sërish u la në fuqi vendimi në favor të shoferit. Dhe sërish, Bashkia nuk u tërhoq.
Kërkesa për pezullim të vendimit shkoi deri në Gjykatën e Lartë, e cila më 18 Qershor 2025 e hodhi poshtë rekursin e fundit.
Pas një kalvari 7-vjeçar, B.R. fitoi të drejtën e tij. Por fitimi ligjor nuk garanton zbatim të menjëhershëm. Tani nis një tjetër luftë: ajo me burokracinë bashkiake për të marrë atë që i takon me vendim gjykate.
Ngjarja është e thjeshtë në dukje, por zbërthen një realitet të rëndë: një shtet që ndëshkon më me ngulm një shofer të thjeshtë sesa zyrtarët që abuzojnë me miliona euro.
)