“Lek po, kupona jo!” Restorantet dhe hotelet e jugut me rregullat e veta, ish-kreu i KLP-së i denoncon me emra dhe foto: Ku po shkojmë kështu…?

Në një kohë kur rivierës shqiptare po i shtohen turistë çdo vit dhe më shumë, bizneset në jug duket se kanë vendosur që të funksionojnë sipas një rregulli të thjeshtë dhe të shkruar nga vetë ata: “Para po, kupon jo!”.
Ka qenë ish-kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla, i cili së fundmi ka ardhur me një reagim në rrjetet e tij sociale ku dhe ka treguar këtë realitet të trishtë në bregdetin shqiptar.
Balla, ka ngritur shqetësimin dhe ka bërë një denoncim të fortë publik ndaj bizneseve të jugut, të cilët sipas tij, operojnë në një mënyrë tërësisht informale, pa lënë asnjë gjurmë fiskale.
Këtë denoncim të tij, ish-kreu i KLP-së e ka shoqëruar dhe me disa “fatura” të marra nga restorantet dhe hotelet në zonën e Dhërmiut, të cilat nuk përmbajnë asnjë kupon tatimor zyrtar.
Në një prej fotove të publikuara nga ai vetë, shihet një faturë nga Restoranti “Piratët 1”, ku dhe është paguar një shumë prej 1.650 lekë, por fatura nuk mban asnjë të dhënë fiskalë, as datë fiskalizimi, as barkod, as numër unik dhe as NIPT.
“Asnjë prej tyre nuk më dha kupon tatimor, bile as hoteli. Më dhanë thjesht një copë letër për të treguar sa do paguaj.”, shkruan Balla në postimin e tij, ndërkohë që më tej thekson se mos lëshimi i një kuponi tatimor nga ana e bizneseve është vjedhje ndaj qytetarëve, dëmtim i konkurrencës së ndershme dhe mbi të gjitha, është një akt që çon drejt shkatërrimit të besimit tek shteti dhe ekonomia formale.
“Kur një biznes nuk jep kupon ai shmang TVSH-në, duke përfituar në kurriz të qytetarëve, dëmton konkurrencën, sepse ndershmëria nuk shpërblehet, dëmton shtetin, që mbetet pa të ardhura për shërbime publike…dhe pastaj qahen edhe nga shteti këto bisnese.
Të gjithë duam rrugë, spitale, paga e pensione më të larta por nuk mund t’i kemi me një ekonomi të fshehur pas fshehjes së xhiros..Të kërkosh kupon nuk është bezdi, është detyrim qytetar”, shkruan ai ndër të tjera.
Postimi i plotë:
Kuponi tatimor nuk është formalitet – është drejtësi!
Nga dje deri sot, kam konsumuar në Dhërmi ushqim në disa restorante dhe kam qëndruar në një hotel. Asnjë prej tyre nuk më dha kupon tatimor, biles dhe hoteli. Kur i kërkova faturën/ kuponin tatimor djali që nga theksi dukej nga Tirana, më pa me habi dhe desh më hëngri tha po, do ta jap më vonë e nuk u kujtua deri në mëngjes. Sot kur po ikja tha do ta japi kolegu në sportel kur sporteli ishte bosh…
Pra askush nuk më dha as një copë letër që të tregonte se po kontribuoj për shëndetësi, arsim, rrugë, pensione etj. por më dhanë një copë letër pa kod thjesht për të treguar sa do paguaj.
Ku po shkojmë kështu? Kush e si do i bëjë investimet që të gjithë i kërkojmë?
Kur një biznes nuk jep kupon ai shmang TVSH-në, duke përfituar në kurriz të qytetarëve, dëmton konkurrencën, sepse ndershmëria nuk shpërblehet, dëmton shtetin, që mbetet pa të ardhura për shërbime publike…dhe pastaj qahen edhe nga shteti këto bisnese.
Të gjithë duam rrugë, spitale, paga e pensione më të larta por nuk mund t’i kemi me një ekonomi të fshehur pas fshehjes së xhiros..
Të kërkosh kupon nuk është bezdi, është detyrim qytetar!