Një investim prej 2 miliardë dollarësh, përmbyllet me sukses “Thinking Machines Lab” startup-i i Mira Muratit

Ish – drejtoresha e teknologjisë së OpenAI, ka përmbyllur me sukses raundin e parë të një prej projekteve më të mëdha të inteligjencës artificiale në nivel global.
Bëhet fjalë për “Thinking Machines Lab”, krijuar nga Mira Murati, zhvilluar me një investim prej 2 miliardë dollarësh dhe e vlerësuar deri në 10 miliardë dollarë si një produkt tregu, sipas Financial Times.
Startup-i ka shfrytëzuar reputacionin e Muratit dhe të studiuesve të tjerë të profilit të lartë të inteligjencës artificiale që i janë bashkuar ekipit për të tërhequr investitorë në atë që mund të jetë raundi më i madh i investimit në histori. Sipas burimeve të njohura me marrëveshjen e cituar nga FT, Andreessen Horoëitz udhëhoqi raundin, me pjesëmarrjen e Conviction Partners të Sarah Guo.
Murati u largua nga OpenAI shtatorin e kaluar pasi drejtoi zhvillimin e disa prej produkteve më të shquara të IA-së të kompanisë, duke përfshirë ChatGPT, DALL-E dhe modalitetin zanor. Disa nga ish-kolegët e saj të OpenAI i janë bashkuar startup-it të ri, përfshirë bashkëthemeluesin John Schulman.
Murati është një nga të paktët drejtues që u larguan nga OpenAI pasi ngritën shqetësime në lidhje me udhëheqjen e CEO-s Sam Altman në vitin 2023. Kur bordi shkarkoi Altman në nëntor të atij viti, Murati shërbeu si CEO i përkohshëm përpara se Altman të rikthehej shpejt në detyrë.