Mafiozët shqiptarë lidhje me politikën, nisin hetimet

Pas deklarimeve të kryeprokurorit italian të Antimafias, sipas të cilit mafiozët shqiptarë kanë lidhje me politikën Policia shqiptare është kthyer me këmbë në tokë dhe ka marrë një vendim të prerë.
Me urdhër të ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj janë ngritur 4 skuadra të përbashkëta hetimore, 3 me partnerët italianë, të mbështetur nga Programi IPA dhe 1 me partnerët gjermanë për krimet që kanë të bëjnë me përfshirjen në grupe kriminale dhe trafikun e drogës.
Mafiozët shqiptarë kanë krijuar lidhje me eksponentë të politikës dhe interesat e tyre po administrohen nga zyrtarë të nivelit të lartë. Pikërisht kjo frazë u deklarua në mes të Tiranës dhe jo nga një individ dosido, por nga vetë Prokurori Kombëtar i Antimafias në Itali, Federico Cafiero de Raho.
Por mbi të gjitha kjo është një kambanë e fortë alarmi për Shqipërinë. De Raho deklaroi se mafiozët shqiptarë veprojnë njësoj si “Ndragheta” italiane dhe ndryshe nga më herët, janë përfshirë në trafikun e drogave të forta.
“Kriminaliteti shqiptar është një kriminalitet, që i referohet modelit mafioz italian. Ushtron një kontroll të territorit, kryen aktivitet kriminal, në radhë të parë trafik droge” – tha ai.
Sipas prokurorit kombëtar të Antimafias, nëse më parë ishte përfshirë në administrimin e trafikut të marijuanës, sot merret edhe me kokainë, bashkë me “Ndraghetan”.
Kriminaliteti shqiptar ka hyrë në një rreth kriminaliteti të lartë, pra, një rreth që arrin që paratë t’i investojë jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Arrin të infiltrohet në ekonomi dhe të krijojë lidhje me çfarëdo eksponenti të politikës.
E njëjta skemë si në Itali, kur mafiozët lëvizin duke u ballafaquar me subjekte, që në dukje janë profesionistë, pra, njerëz ndonjëherë edhe të institucioneve. Mafiozët sigurojnë lidhje me subjekte të nivelit të lartë dhe arrijnë të administrojnë interesat e krimit të organizuar, nëpërmjet kanaleve të infiltrimit, gjithmonë e me të thella.
Për kryeprokurorin e Antimafias, trafiku i drogës është aktiviteti kryesor i grupeve kriminale shqiptare, por kundër tyre duhet një reagim i fortë jo vetëm nga institucionet ligjzbatuese, por edhe nga politika, për të penguar infiltrimin e tyre.
Sot përpara syve ka një kriminalitet gjithmonë më të vështirë për ta dalluar, sepse ai fshihet nën profesionistët apo në figura që janë në gjendje të ushtrojnë aktivitet ekonomik të nivelit të lartë. Prandaj, politika ka një rol thelbësor që të ndalojë, pengojë dhe largojë infiltrimin e mafies.