“Po presin shkatërrimin”/ Teoria apokaliptike e “mesias”, ja pse Irani NUK MUND të ketë armë bërthamore

Ideja se një vend mund të zotërojë armë bërthamore ngjall frikë, e megjithatë, ky tashmë është një kërcënim që bota ka mësuar ta menaxhojë.
Pas shkatërrimeve që kanë sjellë dy luftëra botërore, ekziston një supozim themelor se shumica e vendeve të armatosura me armë bërthamore përmbahen nga përdorimi i tyre për vetëmbrojtje. Kjo sepse, nëse do të sulmonin me këto armë, vendi i tyre do të shkatërrohej. Ekspertët e mbrojtjes e quajnë këtë ‘Shkatërrim i Garantuar Reciprokisht’.
Po sikur një shtet të mos ketë frikë nga shkatërrimi? Po sikur ta mirëpresë atë, duke e parë si një portë drejt shpëtimit hyjnor? Ky ka qenë prej kohësh shqetësimi me Iranin. Dhe nuk është një rrezik i ekzagjeruar.
Ambiciet bërthamore të Iranit nuk ekzistojnë në një boshllëk. Ato qëndrojnë brenda një kuadri më të gjerë ideologjik që përfshin atë që njihet si “milenarizëm”: besimi se bota po shkon drejt një përplasjeje përfundimtare dhe transformuese midis së mirës dhe së keqes.
Në Islamin Shiit, milenarizmi është i lidhur me kthimin e “Mehdiut”, ose “Imamit të Fshehur”. Ai është një figurë mesianike që do të shfaqet në një epokë kaosi për të vendosur një rend të drejtë islamik. Dhe këto nuk janë thjesht legjenda urbane.
Ish-presidenti iranian, Mahmoud Ahmadinejad, e përqafoi hapur këtë botëkuptim. Gjatë presidencës së tij, ai jo vetëm që iu referua Mehdiut në fjalimet e tij, përfshirë edhe në Kombet e Bashkuara, por qeveria e tij shpenzoi fonde për përgatitjet fetare për kthimin e Mehdiut.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), i cili pothuajse me siguri do të kishte nën kontroll çdo arsenal bërthamor iranian nëse kjo do të ndodhte, ka udhëheqës që përsërisin një gjuhë të ngjashme apokaliptike.
Gjenerali Hossein Salami, kreu i IRGC-së, përpara se të vritej së fundmi nga sulmet izraelite, kishte kërcënuar vazhdimisht se do ta fshinte Izraelin nga harta e botës. Është një deklaratë qëllimi, e rrënjosur në besimin se konflikti me Izraelin është i shenjtë nga ana fetare.