Tërmeti që “shkundi” Tiranën! A duhet të shqetësohemi? Flet sizmiologu…

Mëngjesin e sotëm, rreth orës 05:04 u regjistruan lëkundje të forta toke. Tërmeti me magnitudë 4.4 ballë goditi Shqipërinë e kishte epiqendrën 16 kilometra në veriperëndim të Tiranës dhe 12 kilometra në jug-jugperëndim të Krujës.
Sizmiologu Edmond Dushi tha se pavarësisht se tërmeti u regjistrua shumë pranë zonës ku ishte dhe epiqendra e tërmetit të vitit 2019, nuk ka vend për panik, pasi tërmete me magnitutë deri në 4.5 janë lëkundje që kanë një probabilitet që të regjistrohen çdo vit në territorin e Shqipërisë.
“Kemi vërejtur kohët e fundit një rritje të aktivitetit sizmik në rajonin e Adriatikut, në të dyja krahët e Adriatikut, në pjesën veri-perëndimore të Shqipërisë dhe gjithashtu në Greqi, aty ku kontaktojnë pllakat e mëdha tektonike.
Ky është një tregues që kemi një lëvizje rajonale e cila shprehet dhe me aktivitete apo mikro-aktivitete sizmike që regjistrohen brenda territorit të Shqipërisë. Zona është e izoluar dhe nuk shfaq lidhje të drejtpërdrejte por akumulimi i deformimeve kanë ndikuar dhe në zhvillimin e kësaj lëkundje sizmike”, tha sizmiologu.