Arjan Ndoja tregon si kërcënoi babain e personit që dyshohej se i bëri atentat: Një djalë ke, merre hiqe nga Shqipëria…

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Arjan Ndoja, dëshmoi në Gjykatën e Posaçme për atentatin që iu bë në vitin 2019, ku ndërroi jetë shoferi i tij, Andi Maloku.

Ai tha se nuk ka pasur probleme me askënd në atë kohë, kur ishte prokuror në Durrës dhe se i vetmi shqetësim i tij kanë qenë deklaratat e kryeministrit dhe zv.kryeministrit të kohës (Erion Braçe) në drejtim të tij.

“Kam një shtëpi në Shëngjin. Aty kam qëndruar. Nuk kam parë automjete të dyshimta, ndoshta ju duket e habitshme, por nuk kam pasur asnjë shqetësim.

Edhe sot, pas 6 vitesh, të dalë dikush të më thotë se ça borxhi u kam. I vetmi shqetësim i imi ka qenë nga kryeministri, ish- zv.kryeministri, që kanë bërë deklarata publike për mua dhe për vetingun e famshëm.

Unë vetëm një shqetësim kam pasur në atë kohë, deklaratat e drejtuesve të qeverisë”, mësohet të ketë thënë Ndoja.

Ish-prokurori ka folur edhe për njohjen me Halit Valterin dhe me të akuzuarin Plaurent Dervishaj.

“Valterin e njoh si figurë publike, e përshëndeta dhe qeparë. Ka nxjerrë një video, ku sipas tij janë autorët e atentatit tim.

Nxorri videon në Kuvend, por nuk e di a janë ata. Basir Meçes, babait të Julian Meçes, (i pandehur në proces) e kam pyetur nëse është e vërtetë kjo gjëja, se është shumë e rëndë.

Të kam ndonjë borxh unë ty, i thashë? Një djalë ke, merre dhe hiqe nga Shqipëria.

Nëse është lidhje me atë (Plarent Dervishaj), është thjesht ushtar”, tha Ndoja, duke bërë që Dervishaj të reagojë:

“Mu drejto me emër mua”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT