“Sot u shua shpresa e tij e fundit”, Shabani kërkon zgjedhje në Tiranë: Erion Veliaj nuk mund të mbajë peng karrigen, ta shkarkojmë

Këshilltari bashkiak i Tiranës, Endri Shabani këmbëngul në thirrjen e tij që kryebashkiaku Erion Veliaj të shkarkohet nga detyra dhe të hapet rruga për zgjedhjen e drejtuesit të ri të kryeqytetit.
Nisur nga vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë, e cila vulosi përfundimisht qëndrimin e tij prapa hekurave deri në përfundim të hetimeve, Shabani thotë se Erion Veliaj nuk mund të mbajë peng dhe karrigen e kryetarit.
“Sot u shua edhe shpresa e fundit e Erion Veliajt. Gjykata e Lartë rrëzoi përfundimisht çdo përpjekje për ta liruar nga burgu. Tani është e qartë që Veliaj do të mbetet në burg. Por ne nuk mund të lejojmë që ai të marrë me vete në burg edhe karriken e kryetarit të bashkisë.
Këshilli Bashkiak Tiranë ka detyrimin ligjor të miratojë kërkesën time për shkarkimin e tij. Ligji na e kërkon. Ndërgjegjja e kërkon. Tirana e kërkon. Sa më shpejtë ta shkarkojmë, aq më shpejt Tirana do të ketë një kryetar legjitim”, shkruan Endri Shabani.
Kujtojmë se Veliaj u arrestua në zyrën e Bashkisë më 10 shkurt si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Ai akuzohet së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, se ndërtuan një mekanizëm kompleks korruptive për të përvetësuar fondet publike, të cilat transferoheshin në formë ryshfeti nga kompani kontraktore dhe OJF përfituese të fondeve të Bashkisë së Tiranës.