Masakër mjedisore dhe urbane në Parkun Kombëtar të Thethit, betonizohet pa leje e pa kriter! Ndërtimet e paligjshme vënë në rrezik natyrën e tij të paprekur

I konsideruar një nga perlat e natyrës shqiptare, Parku Kombëtar i Thethit, tashmë që prej ditës së djeshme është në qendër të vëmendjes. Por, këtë herë, jo për bukuritë e tij karakteritike si një nga destinacionet më të famshme turistike në Shqipëri, por për paligjshmërinë e ndërtimeve.

Që prej të hënës, një aksion i përbashkët i Policisë së Shtetit dhe Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), ka nisur heqjen e objekteve të kategorizuara si të paligjshme.

Ndërkohë, pamjet me dron nga emisioni Fiks Fare, tregojnë qartë ndërtimet që vijojnë në çdo cep të fshatit, në pyje, zona të thellë dhe kudo përreth, ndërsa nëpër pemë janë konstatuar kamera sigurie.  Punëtorët kanë refuzuar të flasin për gazetarët e emisionit, të cilët, megjithatë janë të vetëdijshëm që ndërtojnë pa leje. E vetmja përgjigje e tyre për gazetarët është: “kështu bëjnë të gjithë”.

Ndërkohë, sa i përket institucioneve, Inspektori i Policisë së Zonës ka deklaruar se ekzitojnë procedime penale për ndërtuesit pa leje, por që aktualisht të angazhuar me kontrolle për lëndët narkotike. Po ashtu, edhe drejtori i IKMT Shkodër, pranoi se janë vendosur gjoba në lidhje me këto raste. Ai thotë se janë referuar edhe raste në prokurori, por sipas tij, çdo përgjigje do të jepet vetëm me shkresa.

Nga ana tjetër, bëhet me dije se në Theth nuk ka asnjë leje drejtimi, sipas Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura në Shkodër. Madje, ata konfirmojnë se kanë vendosur edhe gjoba deri në 100 milionë lekë, edh pse asnjëra prej tyre nuk është ekzekutuar pasi subjektet i kundërshtojnë në gjykatë.

Pjesa dërrmuese e fshatit ruan të padëmtuara nga pesha e kohës ndërtime të vjetra me vlera arkitektonike dhe infrastrukturën rrugore karakteristike, por si duket, në mungesë të ligjit, po rrezikon të humbasë vlerën që e bën unik, natyrën e tij të paprekur.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT